Kurti uron qytetarët për Fitër Bajram: Le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e falënderimit, solidaritetit dhe përmirësimit si individë e si shoqëri.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se në këtë ditë Bajrami, mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë.
Në mesazhin e tij, Kurti shprehet se kjo ditë feste duhet të na gjejë më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me ata që kanë më pak dhe më të përkushtuar ndaj përmirësimit të përbashkët.
“Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar! Në mesin e begative që gëzojmë sot, të rrethuar me më të dashurit tanë, le të na gjejë kjo ditë feste për besimtarët myslimanë, dhe çdo ditë tjetër e vitit, edhe më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me nevojat e atyre që kanë më pak dhe më të vëmendshëm ndaj përmirësimit si individë dhe si shoqëri”.
Ai veçoi kujdesin ndaj fëmijëve, duke i cilësuar si amanet i shenjtë.
“Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja. Në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve”, është shprehur Kurti.

