Familjet përfituese për efiçiencë të energjisë nuk e humbin asistencën sociale
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se familjet që janë përfituese për efiçiencë të energjisë nga projekti “Green Energy Future” nuk do ta humbin të drejtën për asistencë sociale.
Sipas njoftimit, përfitimi nga këto masa është pjesë e një projekti zhvillimor dhe nuk ndikon në të drejtën e tyre për të qenë pjesë e skemës së asistencës sociale përderisa familja vazhdon të plotësojë kriteret për të qenë pjesë e saj.
“Ky projekt synon të mbështesë familjet më të cenueshme përmes përmirësimit të kushteve të banimit dhe uljes së kostove të energjisë, duke përfshirë ndërhyrje si izolimi i shtëpive, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, si dhe përmirësimi i kulmeve dhe elementeve të tjera të efiçiencës së energjisë”
Ministria ka inkurajuar familjet e përzgjedhura që të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe realizimin e ndërhyrjeve që do të përmirësojnë efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre.
Ndërkaq në njoftim thuhet se projekti “Green Energy Future” është i financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe i zbatuar nga UNDP me partneritet e Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë
