Hapet qarkullimi në Urën e Milotit/ Ministri Karakaçi inspekton punimet: U realizua falë bashkëpunimit të ARRSH dhe UT
Ura e Milotit është hapur sërish për qarkullimin e automjeteve pas disa ndërhyrjeve emergjente për sigurimin e këmbëve mbajtëse.
Problemet u konstatuan në korrik të vitit të kaluar dhe për arsye sigurie u ndalua qarkullimi i automjeteve.
Punimet u realizuan në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Në këtë periudhë u pastruan dhe u niveluan bazamentet e pilotave, u betonuan dhe u vendosën mure gabion për mbrojtjen e strukturës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, inspektuan punimet e përfunduara.
Ura e Milotit, me gjatësi 781 metra, do të lehtësojë trafikun për automjetet që vijnë nga veriu i vendit dhe do të ndihmojë veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Karakaçi vuri në dukje se reshjet e forta të fundvitit dhe fillimit të këtij viti kanë shkaktuar problematika të tjera në rrugë, por ndërhyrjet e kryera i kanë zgjidhur ato dhe akset kryesore janë të aksesueshme.
Ai nënvizoi rëndësinë e përgatitjes për sezonin veror për të siguruar qarkullim të lirë dhe të sigurt.
