Pezullimi 6-mujor i stafit të Egnatias/ Memo: Precedentë i pazakontë, s'ka ndodhur ndonjëherë që të dënohen të gjithë
Në një lidhje direkte për “Sport Focus”, Jorgis Memo, redaktor përgjegjës i lajmeve sportive në RTSH, sjell detaje për vendimin e pazakontë të Komisionit të Disiplinës ndaj klubit të Egnatias.
Komisioni ka pezulluar gjithë stafin e klubit për gjashtë muaj, për shkak të tërheqjes së ekipit nga fusha gjatë një ndeshjeje.
Një vendim që konsiderohet i rrallë në historinë e futbollit shqiptar.
Stafi teknik, stafi mjekësor dhe personeli i bazës materiale janë prekur nga masa, ndërsa klubi dhe trajneri kanë paralajmëruar apelim të vendimit.
“Ky është një precedent i pazakontë. Nuk ka ndodhur më parë që të dënohet i gjithë stafi, jo vetëm trajneri. Situata e tërheqjes së ekipeve ka qenë shqetësuese këtë sezon, dhe masa ndaj Egnatias është tepër e ashpër.”-tha Memo.
Në këtë kontekst, ai tregon se vendimi nuk lidhet vetëm me Egnatian, por reflektimin e fenomenit që po shfaqet gjatë këtij sezoni, ku disa ekipe tërhiqen nga fusha pas mosmarrëveshjeve ose tensioneve në lojë.
“Megjithatë, Kombëtarja shqiptare dhe trajneri Silvinjo po japin rezultate pozitive. Ai po përdor lojtarët që ka në dispozicion dhe ka arritur të realizojë rezultate historike për ekipin kuqezi.”-shtoi ai.

