ITALIA NË PANIK, DËMTOHET TONALI/ Mesfushori del nga fusha mes dhimbjesh në mes të lojës

Sandro Tonali u dëmtua në ndeshjen Barcelona–Newcastle dhe mbetet në dyshim për sfidën e Italisë ndaj Irlandës së Veriut më 26 mars. Gjendja e tij pritet të vlerësohet në ditët në vijim.

Në ndeshjen mes Barcelonës dhe Newcastle, Sandro Tonali la papritur fushën për shkak të një lëndimi.

Në minuten e 53 të sfidës, mesfushori italian pati një duel me kundërshtarin Fermin Lopez, duke mbrojtur topin me sukses, por duke e lënë të dëmtuar në kofshën e majtë.

Ai u detyrua të largohej nga fusha, ku u pa duke çaluar dhe i ndihmuar nga stafi mjekësor.

Tekniku i “magpies”, Eddie Howe konfirmoi pas sfidës se Tonali ka shfaqur probleme me mesin dhe me kofshën, duke e lënë në pikëpyetje nëse do të jetë i gatshëm në takimin kundër Sunderland në fundjavë.

Ky dëmtim vjen si alarm për trajnerin e Italisë, Genaro Gattuso, i cili do të udhëheqi ekipin kundër Irlandës së Veriut në play off për Kupën e Botës 2026.

Ai nuk ka shumë kohë për të gjetur alternativa për zëvendësim, pasi përballja e azzurr-ëve vjen pas 8 ditësh, me 26 mars.

Mungesa e Tonalit mund të ketë ndikim negativ pasi, 25 vjeçari është një ndër më të mirët në rolin e tij në botë dhe i vetmi në kombëtare si mesfushor regjizor.

Ditët në vijim janë të rëndësishme pasi do të bëhet vlerësimi mjekësor dhe të përcaktohet koha e rikthimit të tij në formacion e të kaltërve.

Italia humbi edhe sulmuesin e Lazios, Mattia Zacagni, pasi u raportua se do të qendrojë pa luajtur për disa javë.

Së fundmi ishtë përfolur edhe për një rikthim të Marco Verratti, por ai u dëmtua dhe nuk do të jetë i gatshëm.

Ankth edhe për tifozët italianë me këto mungesa, pasi Italia nuk kualifikohet në një botëror që nga viti 2014, duke u eleminuar pikërisht në fazën e play off në 2 edicionet e kaluara.