Bashkimi përsëri gabon në shtëpi, mundet nga Rabotniçki

Me fitoren në ndeshjen e parë të fazës së tretë të kampionatit, Rabotniçki është rikthyer fuqishëm në garën për mbijetesë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra nga Shkupi arriti të fitojë në udhëtim ndaj Bashkimit në Kumanovë me rezultat 1-2 (0-1), një humbje që rrallë kush e priste për vendasit, duke pasur parasysh formën e tyre këtë sezon. Njëkohësisht kjo ishte edhe një lloj revanshi për humbjen që Rabotniçki kishte pësuar ndaj Bashkimit në stadiumin “Todor Proeski” gjatë pjesës vjeshtore të kampionatit.

Nën drejtimin e trajnerit Muarem Muarem, Rabotniçki po duket si një skuadër krejt tjetër dhe me një qasje shumë më serioze hyri edhe në përballjen e javës së 23-të në Kumanovë.

Edhe pse vendasit rrezikuan të parët, mysafirët kaluan në epërsi që në rastin e parë serioz. Suhel Muarem në minutën e 11-të shfrytëzoi një gabim në vendosjen e mbrojtjes kundërshtare, doli i vetëm përballë portierit dhe shënoi për avantazhin 0-1 të Rabotniçkit.

Pjesa e dytë nisi me Bashkimin që mundohej më shumë të rrezikonte, por pa arritur të konkretizojë. Rabotniçki nuk arriti të shfrytëzojë kundërsulmet, edhe pse pati disa situata premtuese. Në minutën e 72-të mysafirët realizuan aksionin të bukur të ndeshjes. Suhel Muaremi depërtoi nga krahu i majtë, asistoi për Talakovin, i cili me goditje të menjëhershme dyfishoi epërsinë në 0-2.

Deri në fund të ndeshjes Bashkimi arriti vetëm të zbusë rezultatin, kur Aleksovski realizoi në minutën e 79-të për rezultatin përfundimtar 1-2.

Me këtë fitore Rabotniçki arrin në kuotën e 19 pikëve dhe afrohet në katër pikë larg zonës së balotazhit për mbijetesë. Bashkimi mbetet me 32 pikë dhe ende nuk është plotësisht i sigurt në mesin e tabelës. Ndërkohë, në duelin tjetër të kësaj jave, Pelisteri dhe Sileksi ndanë pikët pas barazimit pa gola 0-0.