Conference League/ Rayo Vallecano e Ivan Balliut pranë çerekfinaleve, fitore me peshë edhe për Shakhtar Donetsk
Rayo Vallecano bën një hap të madh drejt kualifikimit për në çerekfinale të Conference League. Skuadra spanjolle ku aktivizohet mbrojtësi i kombëtares shqiptare Ivan Balliu fitoi në transfertën turke me Samsunspor me rezultatin 3-1 dhe do të luajë më i qetë në sfidën e kthimit në Vallecas.
Alemao i dha avantazhin skuadrës së Rayo Vallecano me golin e shënuar në minutën e 15, por Samsunspor u kundërpërgjigj me Marius që barazoi shifrat në 1-1. Pak para fundit të pjesës së parë Garcia riktheu Rayon në avantazh duke e çuar rezultatin në 2-1, ndërsa në minutën e 78 Alemao plotësoi dygolëshin personal duke fiksuar rezultatin 3-1 për skuadrën spanjolle.
Edhe Shakhtar Donetsk hedh një hap të madh drejt çerekfinaleve të kompeticionit me skuadrën ukrainase që fitoi në Poloni ndaj Lech Poznan me rezultatin 3-1. Marlon Gomes zhbllokoi rezultatin për Shakhtar në minutën e 36, ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë, Neëerton dyfishoi shifrat për ukrainasit duke e çuar rezultatin në 2-0. Lech Poznan rihapi llogaritë e sfidës në minutën e 70 kur shkurtoi diferencën në 2-1 me Ishak, por Shakhtar Donetsk shënoi sërish këtë radhë me Isaque Silva për të fiksuar fitoren 3-1 të tij.
Jashtë fushës së tij fitoi edhe Strasbourg që mundi Rijekën në Kroaci me rezultatin 2-1 duke marrë një avantazh të konsiderueshëm për sfidën e kthimit. Panichelli dhe Godo ishin ata që shënuan të dy golat për skuadrën franceze nga një për çdo pjesë. Rijeka vetëm sa ngushtoi diferencën në 2-1 me Majstorovic.
Edhe Alkmaar e fitoi ndeshjen e saj në shtëpi ndaj Spartës së Pragës me rezultatin 2-1. Parrot ishte protagonisti i skuadrës holandeze pasi ishte autori i të dy golave të saj, ndërkohë që Sparta e Pragës shënoi golin e barazimit të përkohshëm në 1-1 me Vojta./tch

