Guardiola pas humbjes në Madrid: Nuk luajtëm aq keq sa për të humbur 3-0
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, reagoi pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Real Madrid në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’, në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të UEFA Champions League. Tekniku spanjoll pranoi epërsinë e madrilenëve, por theksoi se rezultati ishte më i ashpër sesa ajo që tregoi loja në fushë.
“Loja jonë nuk ishte aq e dobët sa për të humbur 3-0. Kur përballesh me Real Madridin dhe ata fitojnë me këtë rezultat, është e vështirë të thuash shumë”, deklaroi Guardiola pas ndeshjes.
Ai e pranoi se përmbysja në takimin e kthimit do të jetë shumë e vështirë, por theksoi se skuadra e tij do të përpiqet deri në fund. “Do të tentojmë ta ndryshojmë situatën, edhe pse e dimë se shanset janë të vogla. Me tifozët tanë në krah do të përpiqemi të bëjmë diçka më të mirë”, shtoi trajneri i City-t.
Duke analizuar ndeshjen, Guardiola theksoi se madrilenët shfrytëzuan maksimalisht rastet që patën në pjesën e parë. “Rezultati është i qartë, por kanë mbetur edhe 90 minuta. Ata patën tri raste dhe shënuan tre gola. Ne arritëm disa herë pranë zonës së tyre, sidomos në pjesën e dytë, por na mungoi pasimi i fundit”, u shpreh ai.
Trajneri spanjoll komentoi edhe penalltinë e humbur, duke pranuar se ajo mund ta kishte bërë edhe më të vështirë situatën. “Me tre gola është shumë e vështirë përmbysja, imagjinoni nëse do të ishin katër”, tha ai.
Në fund, Guardiola vlerësoi disa nga lojtarët e Real Madridit, si Federico Valverde, Vinícius Júnior, Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni, ndërsa pranoi se u surprizua edhe nga qasja taktike e trajnerit Álvaro Arbeloa, i cili zgjodhi të luante me pesë mbrojtës dhe të mbështetej te kundërsulmet e shpejta.

