"Ligji për diplomatët, i pamenduar mirë"/ Lita për Spiropalin: 5 muaj s'të japin mundësi të bësh punën e plotë

Analisti Lavdrim Lita ishte i ftuar në studion e Ora News, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe largimin e Elisa Spiropali nga drejtimi i Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme pas vetëm pesë muajsh në detyrë.

Sipas tij, periudha e shkurtër në krye të një ministrie të rëndësishme nuk ka qenë e mjaftueshme për të shpalosur një vizion të plotë apo për të realizuar një punë të dukshme.

“Koha e pamjaftueshme për të drejtuar një ministri si ajo e Jashtme, vetëm pesë muaj, nuk të jep mundësi të shpalosësh vizionin dhe të bësh një punë të plotë. Kjo tregon që ndryshimi lidhet më shumë me zhvillimet politike.”-tha Lita. 

Në diskutim u përmend edhe ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i cili u kundërshtua nga diplomatët e karrierës, pasi parashikonte testimin e tyre.

Lita e konsideroi këtë nismë të pamenduar mirë, duke qenë se shumë prej diplomatëve kanë dekada përvojë në shërbim.

“Diplomatët kanë deri në 35 vite përvojë në shërbimin e jashtëm. Nuk mund të vijë një ministër dhe t’i fusë në testim sikur janë fillestarë. Mund të gjendej një formë tjetër rivlerësimi, sepse mënyra si u propozua nuk dukej diplomatike.”- u shpreh ai.

Megjithatë, sipas tij, ligji i kontestuar nuk duket të jetë arsyeja kryesore e largimit të Spiropalit.

Ai e lidhi këtë zhvillim me dinamikat e brendshme në Partia Socialiste, ku, sipas tij, ekzistojnë grupime dhe një pakënaqësi në rritje.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: