“Hyrremi” dhe “Sulltan Sulejmani” sërish në ekran me një tjetër projekt
Admiruesit e serialeve turke kanë arsye të festojnë: 15 vite pas suksesit të tyre ndërkombëtar në “Sulejmani i Madhërishëm” (Muhteşem Yüzyıl), aktorët Halit Ergenç dhe Meryem Uzerli do të jenë sërish bashkë në një projekt të ri kinematografik.
Seriali historik i viteve 2011-2014 i dha famë globale dy aktorëve me rolet e ikonike të Sulltan Sulejmanit dhe Sulltanesha Hyrrem, duke u transmetuar në mbi 100 shtete dhe duke fituar miliona ndjekës në Lindjen e Mesme, Evropë dhe Amerikën Latine.
Për vite me radhë, fansat kanë kërkuar rikthimin e tyre krah njëri-tjetrit, dhe tani dëshira e tyre po bëhet realitet.
Filmi i ri, me titull “Pranverë në Imroz” (İmroz’da Bahar), realizohet nga Sky Films nën drejtimin e producentit Emre Oskay dhe regjinë e ka Özcan Alper, i njohur për filma emocionalë dhe me thellësi njerëzore.
Historia flet për dy njerëz, rrugët e të cilëve kryqëzohen papritur në ishullin Imroz (Gökçeada), ndërsa përballen me sfida personale dhe kanë mundësinë për një fillim të ri.
Filmi eksploron pyetjen se a mund të rikthehet dashuria në një fazë të vonë të jetës, duke sjellë një “pranverë të dytë” për protagonistët.
Burimet bëjnë me dije se xhirimet pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa ende nuk është konfirmuar se ku do të publikohet filmi në Turqi.
Megjithatë, vetëm lajmi i ribashkimit të Ergenç-Uzerli është kthyer në një nga ngjarjet më emocionuese të vitit në kinematografinë turke.

