Vesi i fshehur që po shkatërron familjet shqiptare, drejtuesi i qendrës së rehabilitimit zbulon realitetin tronditës

Në një shoqëri ku shumë beteja zhvillohen në heshtje, varësitë dhe veset mbeten një plagë e hapur që prek jo vetëm individët, por shkatërron familje të tëra.

Në qendrën e rehabilitimit "Teen Challenge", një strehë për meshkujt që luftojnë me demonët e tyre, realiteti i varësisë merr një formë konkrete.

Përfaqësuesit e kësaj qendre rezidenciale afatgjatë, e vetmja e llojit të saj, zbuluan nw emisionin “Epiqendwr” nw “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai se cilat janë varësitë më të rënda dhe shpesh të fshehura që po dëmtojnë thellësisht shoqërinë shqiptare.

Drejtuesi i qendrës, Orges Hysenaj, u shpreh se ndërsa vëmendja publike shpesh përqendrohet te lëndët narkotike si kokaina dhe heroina, apo te lojërat e fatit, ekziston një ves tjetër i fshehtë dhe tejet i dëmshëm.

Pornografia, sipas tij, është një varësi e përhapur që shpesh qëndron në rrënjë të problemeve të tjera, një “frikë” ose një ves tjetër që ushqen ciklin shkatërrues.

PJESË NGA BISEDA

Sonila Musai: Cilat janë veset më të shpeshta që vijnë tek ju, Orges?

Orges Hysenaj: Nisur nga fjala ves, që është më e njohur në popull, mendoj domethënë që ne jetojmë ende në atë pjesën që quhet vesi i vdes me të zotin.

Sonila Musai: Vesi del me shpirtin?

Orges Hysenaj: Vesi del me shpirtin ose vesi vdes me të zotin. Ne në qendrën Teen Challenge në fakt nuk e besojmë këtë gjë. Edhe kemi arsye të forta, sepse nuk kemi vetëm një rast, kemi shumë raste individësh të cilët mbasi përkushtohen, jeta e tyre ndryshon në mënyrë, ne e quajmë dramatike. Është një qendër për meshkujt, është e vetmja qendër rezidenciale afatgjatë e këtij lloji, dhe ne do flasim pak më gjerë sot se çfarë e dallon Teen Challenge nga shumë programe të tjera. Është një qendër rezidenciale në një fshat të Tiranës, në fakt është qendra e dytë rezidenciale që ne kemi hapur, edhe me një kapacitet prej 22 personash në të njëjtën kohë, me mosha që variojnë nga 18 deri në rreth 60 vjeç.

Sonila Musai: Me cilat lloj varësish punoni më së shumti? Thatë për të gjitha, po kush dominon?

Orges Hysenaj: Kryesisht edhe më, më tragjike janë ato varësi të cilat ndikojnë familjen ose e shkatërrojnë atë. Mund të flasim për lëndët narkotike, ndër më të rëndat kokaina ose heroina, por pa lënë pas dore domethënë edhe lojërat e fatit, të cilat ndonjëherë ose në shumicën e rasteve janë të kombinuara me njëra-tjetrën.

Sonila Musai: A ka ndonjë ves që për shembull nuk është shumë i përhapur që nuk e dimë të paktën ne gazetarët, që vjen tek ju për t’u kuruar, le të themi?

Orges Hysenaj: Mund të themi që mbrapa çdo varësie ose mbrapa çdo vesi, qëndron një frikë, qëndron një ves tjetër që mund të jetë një nga veset më të përhapura në kohën e sotme, mund të flasim që është pornografia.

Sonila Musai: Ves?

Orges Hysenaj: Mbrapa çdo varësie siç mund të jetë droga ose alkooli, ne e shohim që në një masë të gjerë individët që ne kontaktojmë në takime të ndryshme, është edhe pornografia.

Sonila Musai: A është i vështirë bashkëpunimi me familjarët? Se gjithmonë kam përshtypjen, sidomos nënat për djemtë...

Orges Hysenaj: Ke goditur në shenjë dhe ke prekur pjesën më të rëndësishme në fakt të programit tonë. Ne shohim dhe evidentojmë që në fakt nënat janë faktori kryesor në ndryshimin e jetës së një burri, se programi jonë momentalisht është vetëm për burra. Ka një ndikim të jashtëzakonshëm. Nëse nëna ka arritur të bashkëpunojë me të birin, ose po themi dhe bashkëshortja me, me bashkëshortin e vet, për ta bindur për të marrë një hap jetë-ndryshues, kemi parë sukses. Ashtu siç kemi parë që, në përgjithësi, ne burrat shqiptarë jemi të përkëdhelurit e nënave, edhe fjala e tyre ose ëmbëlsia e tyre shpeshherë na ledhaton aq tepër saqë ne nuk na pëlqejnë strukturat. Kështu që ne duam të largohemi prej tyre. E tillë është edhe në programin tonë. Ato familje të cilat bashkëpunojnë me ne ngushtë, ne kemi parë që fëmijët e tyre janë shumë të suksesshëm, madje disa prej tyre sot janë kthyer në shembull në komunitet. Individë të cilët japin lirshëm intervista nga më të ndryshmet, duke mos e mohuar jetën e tyre të vjetër, por duke treguar se sa e vështirë ishte ndryshimi dhe çfarë vlere ka kjo jetë e re.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”