Adebayo thyen rekordin e Kobi Bryant! Ylli i Miami Heat shënon 83 pikë dhe hyn në historinë e NBA
Bam Adebayo realizoi një nga paraqitjet më të jashtëzakonshme në historinë e NBA duke shënuar 83 pikë. Ylli i Miami Heat kaloi rekordin e Kobi Bryant prej 81 pikësh dhe renditet i dyti në listën historike të pikëve në një ndeshje. Vetëm Wilt Chamberlain mbetet përpara me rekordin legjendar prej 100 pikësh.
Një nga mbrëmjet më historike në NBA u regjistrua të martëm, kur Bam Adebayo realizoi plot 83 pikë në fitoren e Miami Heat 150 me 129 ndaj Washington Wizards.
Me këtë paraqitje të jashtëzakonshme, Adebayo kaloi rekordin e legjendës së basketbollit Kobe Bryant prej 81 pikësh dhe u ngjit në vendin e dytë në historinë e NBA për më shumë pikë në një ndeshje.
Në krye të kësaj liste mbetet ende Wilt Chamberlain, i cili në vitin 1962 realizoi ndeshjen legjendare me 100 pikë, një rekord që nuk është thyer prej më shumë se gjashtë dekadash.
Adebayo e nisi mbrëmjen në mënyrë të furishme duke shënuar 31 pikë vetëm në çerekun e parë dhe duke vazhduar dominimin gjatë gjithë ndeshjes.
Në pushimin e pjesës së parë ai kishte arritur tashmë në 43 pikë, ndërsa në fund të çerekut të tretë kishte shkuar në 62 pikë.
Në periodën e katërt, pavarësisht mbrojtjes së fortë dhe dyfishimeve nga kundërshtarët, ai vazhdoi të shënonte duke arritur shifrën historike prej 83 pikësh.
Në total Adebayo realizoi 20 nga 43 gjuajtje nga loja dhe 36 nga 43 gjuajtje të lira, duke vendosur gjithashtu rekorde për gjuajtjet e lira të realizuara në historinë e Miami Heat.
Trajneri i ekipit e cilësoi këtë një moment të jashtëzakonshëm për klubin dhe për historinë e basketbollit.
Pas ndeshjes, Adebayo nuk i fshehu emocionet dhe u pa i përlotur teksa përqafoi nënën e tij në parket.
Vetë basketbollisti tha se të ndodhej në një listë ku janë vetëm Wilt Chamberlain, ai dhe Kobe Bryant është diçka që tingëllon e pabesueshme.
Para kësaj ndeshjeje, rekordi personal i Adebayo ishte vetëm 41 pikë, çka e bën këtë paraqitje një nga momentet më spektakolare të sezonit në NBA.

