SINNER FITON! Jannik mposht talentin brazilian Joao Fonseca dhe kalon në raundin tjetër të “Indian Wells”
Jannik Sinner mposhti talentin brazilian Joao Fonseca dhe siguroi kalimin në raundin tjetër të turneut të Indian Wells.
Në çerekfinale ai do të përballet me një tjetër talent premtues, Learner Tien, në një duel për një vend në gjysmëfinale.
Fonseca i krijoi disa momente të vështira italianit, duke e vënë në presion në pjesë të ndeshjes. Braziliani spikati edhe me një goditje të fuqishme që arriti shpejtësinë 190 km/h.
Tenisti tirolez zhvilloi një ndeshje të nivelit të lartë që zgjati rreth dy orë, duke përballuar një sfidë intensive. Edhe pse në fund triumfoi, numri dy i botës shfaqi shenja lodhjeje dhe e mbylli takimin me rezultatin e ngushtë 7-6 në të dy setet.
Gjatë një prej pushimeve, Jannik shkëmbeu disa fjalë me tone të nervozuara me dy tifozë që e thërrisnin vazhdimisht gjatë sfidës, një reagim i pazakontë për italianin që zakonisht njihet për gjakftohtësinë e tij.
“Nuk më pëlqen të flas në konferenca për shtyp. Dua ta kaloj kohën time duke luajtur tenis dhe duke shijuar jetën”, tha ai në konferencën pas ndeshjes.

