Irani jep sinjale për armëpushim, ndërsa sulmet me Izraelin vazhdojnë

Irani ka dhënë sinjale të ndryshme lidhur me mundësinë e një armëpushimi, mes përplasjeve ushtarake me Izraelin dhe shkëmbimeve të sulmeve të reja nga të dyja palët.

Ministria e Jashtme iraniane deklaroi sot se një armëpushim do të kishte kuptim vetëm nëse do të ekzistonin garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, tha për gazetën “Shargh” se çdo marrëveshje për ndalimin e luftës duhej të siguronte që sulme të ngjashme ndaj Iranit të mos përsëriteshin.

Sipas tij, pa këto garanci një armëpushim do të ishte i pakuptimtë. Ai theksoi gjithashtu se Republika Islamike nuk ishte iniciatore e konfliktit dhe se sulmet me raketa të Iranit ishin kryer në bazë të nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, si një formë e “vetëmbrojtjes legjitime”.

Në ditët e fundit disa vende, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Francën, si edhe disa shtete të rajonit, kanë ndërmarrë përpjekje për të ndërmjetësuar mes palëve në konflikt.

Megjithatë, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, dha një mesazh krejt tjetër, duke deklaruar se Irani nuk po kërkonte armëpushim.

Në një postim në rrjetin social X, ish-gjenerali shkroi se agresori duhej “goditur fort që të mësonte njëherë e përgjithmonë të mos sulmonte më Iranin”.

Konflikti u përshkallëzua në fund të muajit shkurt, kur forcat amerikane dhe izraelite kryen sulme ndaj Iranit, duke shënjestruar drejtues politikë e ushtarakë, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, forcat detare dhe kapacitete të tjera ushtarake.

Irani u përgjigj më pas me sulme të shumta në rajon.

Në këtë sfond, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli u kanë bërë thirrje qytetarëve iranianë të marrin në dorë kontrollin e qeverisë së tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përsëriti këtë thirrje sot, duke u bërë apel iranianëve që të sjellin një ndryshim të pushtetit në vend.

“Qëllimi ynë është që populli iranian të çlirohet nga tirania, por në fund gjithçka varet prej tij”, tha Netanyahu gjatë një takimi me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai shtoi se, sipas tij, udhëheqja në Teheran po pësonte goditje të forta nga masat e marra deri tani.

Ndërkohë, sulmet mes dy vendeve kanë vazhduar. Forcat e armatosura iraniane njoftuan se kanë goditur depo karburanti në Izrael si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të rezervave iraniane të naftës.

Sipas mediave shtetërore iraniane, infrastruktura e naftës dhe gazit në qytetin portual izraelit Haifa është sulmuar me dronë.

Alarmi për raketa u aktivizua në Izrael, ndërsa agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi për një valë të re raketash që kishin në shënjestër Tel Avivin.

Forcat iraniane deklaruan gjithashtu se kanë sulmuar me pesë raketa bazën ajrore amerikane “Harir”, në rajonin autonom të Kurdistanit në veri të Irakut.

Deri tani nuk ka pasur konfirmim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ndaj objektivave në kryeqytetin iranian, Teheran.

Luftimet po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe në sistemin shëndetësor të Iranit.

Sipas autoriteteve iraniane, nëntë spitale kanë ndërprerë aktivitetin që nga fillimi i sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.

Deputeti Mohammad Jamalian, anëtar i komisionit parlamentar të shëndetësisë, tha se janë dëmtuar gjithashtu 18 departamente emergjence dhe 25 qendra shëndetësore, ndërsa 14 autoambulanca janë shkatërruar.

Ai paralajmëroi se, nëse lufta vazhdon, rezervat strategjike të barnave mund të zgjasin të paktën gjashtë muaj, por tashmë ka mungesa për disa ilaçe.

Ndërkohë, procedurat jo urgjente, si operacionet estetike, janë pezulluar përkohësisht në spitale për t’u përqendruar tek trajtimi i të plagosurve dhe emergjencave.

Sipas autoriteteve, rreth 1 400 persona, të plagosur nga lufta, po trajtohen aktualisht në spitale.

Situata ka nxitur edhe vende të tjera të forcojnë mbrojtjen e tyre.

Turqia njoftoi se po përforcon sistemet e mbrojtjes ajrore pasi dy raketa të lëshuara nga Irani janë kapur nga mbrojtja ajrore turke.

Si pjesë e masave të NATO-s, një sistem mbrojtjeje me raketa “Patriot” po përgatitet të dislokohet në provincën lindore turke, Malatya.

Sipas Ankarasë, një raketë e lëshuar nga Irani u kap për herë të dytë brenda një jave, ndërsa disa mbetje ranë në një zonë të hapur pranë qytetit Gaziantep, afër kufirit me Sirinë.

Një incident i ngjashëm ndodhi edhe javën e kaluar në provincën Hatay. Në të dy rastet nuk pati të plagosur.

Nuk është e qartë se cilat ishin objektivat e raketave. Në Turqi ndodhet edhe baza e NATO-s në Incirlik, ku janë të stacionuar ushtarë amerikanë.

Në një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti iranian Masoud Pezeshkian mohoi që raketat e interceptuara, të kishin qenë iraniane, ndërsa qeveria iraniane tha se incidenti do të hetohej.

Ndërkohë, edhe Australia po rrit praninë ushtarake në rajon.

Kryeministri Anthony Albanese njoftoi se vendi i tij do të dërgonte një avion zbulues ushtarak, raketa ajër-ajër dhe rreth 85 ushtarë në rajonin e Gjirit – me kërkesë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas tij, qëllimi është të ndihmohet në mbrojtjen kundër sulmeve të mundshme nga Irani dhe të garantohet siguria e qytetarëve australianë në rajon.

Ministria australiane e Mbrojtjes bëri të ditur se avioni i paralajmërimit të hershëm “Boeing E-7A Wedgetail” do të ndihmojë në sigurimin e hapësirës ajrore mbi Gjirin Persik.

Misioni parashikohet fillimisht të zgjasë katër javë.

Sipas autoriteteve australiane, rreth 115 mijë shtetas australianë ndodheshin në Lindjen e Mesme kur konflikti shpërtheu në fund të shkurtit, prej të cilëve rreth 24 mijë në Emiratet e Bashkuara Arabe.