"Reforma në drejtësi, dështim total"/ Trenova: U propagandua që në fillim, u tha se do përmisoheshin aspektet e sistemit

I ftuar në studio, ish-prokurori Gentian Trenova, i larguar nga sistemi i drejtësisë pas procesit të vetingut, e konsideron reformën në drejtësi një proces që nuk ka përmbushur pritshmëritë e krijuara në fillim.

Duke folur për zhvillimet që nga miratimi i reformës në vitin 2016, ai thotë se publikut iu premtua një ndryshim i madh në funksionimin e drejtësisë, por sipas tij rezultatet nuk kanë qenë ato që u propaganduan në atë kohë.

Sipas Trenovës, reforma u prezantua si një mekanizëm që do të adresonte jo vetëm korrupsionin në sistem, por edhe paaftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe problemin e mosdhënies së drejtësisë.

“Me një fjalë të vetme do ta përkufizoja, është një dështim total për atë që u nis dhe u propagandua në fillim. Opinionit publik iu tha se përmes reformës do të përmirësoheshin shumë aspekte të sistemit të drejtësisë, jo vetëm korrupsioni, por edhe paaftësia e gjyqtarëve e prokurorëve, zvarritja e proceseve dhe dhënia e drejtësisë.”- tha Trenova.

Ai kujton se në atë periudhë u krijua ideja se ndryshimet ligjore dhe riorganizimi i sistemit gjyqësor do të sillnin një përmirësim të shpejtë të drejtësisë në vend.

Sipas tij, pritshmëritë u rritën shumë, ndërsa reforma u shoqërua me një propagandë të fortë që krijoi bindjen se sistemi do të ndryshonte rrënjësisht.

Në analizën e tij, një nga elementët më të diskutuar të reformës ishte procesi i vetingut, i cili solli largimin e një numri të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh nga sistemi.

“Procesi i largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë masive ka sjellë një pengesë dhe një ngërç shumë të madh në funksionimin e sistemit të drejtësisë.”- shtoi ai.

Sipas ish-prokurorit, pasojat e këtij procesi janë ndjerë në funksionimin e përditshëm të institucioneve të drejtësisë, duke krijuar vështirësi në trajtimin e çështjeve dhe në ritmin e proceseve gjyqësore.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT":