"Tirana përbën lajm nëse bie nga kategoria"/ Faruku: Do të jetë humbje për futbollin shqiptar
Situata e vështirë që po kalon KF Tirana ishte në qendër të diskutimit në emisionin "Ora Sport", ku i ftuar ishte legjenda e FK Dinamo Tirana, Faruk Sejdini.
Sejdini foli për momentin që po kalon klubi bardheblu dhe rrezikun për rënien nga kategoria, një skenar që sipas tij do të ishte një goditje edhe për futbollin shqiptar.
“Tirana përbën lajm sepse nëse bie nga kategoria është humbje për futbollin shqiptar. Është një ekip me shumë tituj e kupa dhe ka ushqyer futbollin shqiptar me futbollistë për ekipin përfaqësues dhe për klubet e tjera.”- tha ai.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore të krizës lidhet me përbërjen e skuadrës dhe numrin e madh të lojtarëve të huaj, që sipas Sejdinit ka ndikuar në humbjen e identitetit të klubit.
“Tirana sot është bërë një skuadër me shumë të huaj. Besoj se janë rreth 14-15. Është një konglomerat dhe kjo është arsyeja pse ekipi nuk po e kap veten.”- shtoi Sejdini.
Sejdini shtoi se Tirana ka qenë historikisht një klub që prodhonte talente për futbollin shqiptar, ndërsa situata aktuale lidhet me një strategji të gabuar në merkato dhe largimin nga modeli që e bëri klubin një nga ekipet më të suksesshme në vend.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT":
