Lufta përçan aleatët/ Trump lavdërime Melonit, ndërsa kritikon kryeministrin Keir Starmer
Disa marrin vlerësime, ndërsa të tjerë kritika. Donald Trump e ka bërë edhe njëherë të qartë se kë vlerëson mes liderëve europianë, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në konflikt me Iranin në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan lavdëroi kryeministren italiane Giorgia Meloni, gjatë një interviste telefonike me gazeten italiane Corriere della Sera.
Trump e cilësoi Melonin një udhëheqëse të shkëlqyer dhe një mikeshë të tij, dhe tha se Italia po bën çmos për të ndihmuar shtetet e Bashkuara në konflikt.
Komentet e Trump erdhën pasi Meloni tha se Italia po planifikon të dërgojë ndihmë për mbrojtjen ajrore në vendet e Gjirit përballë sulmeve ajrore iraniane.
Nga ana tjetër ky konflikt ka rindezur një përplasje diplomatike mes Uashingtonit dhe Londrës, pasi Donald Trump ka përsëritur kritikat ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, pasi ai nuk lejoi Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat britanike për sulme.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se Britania e madhe po e mendon seriozisht dërgimin e dy aeroplanmbajtëseve në në Lindjen e Mesme, por ai duket se e refuzoi ofertën.
Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për njerëz që bashkohen në luftë, pasi Uashingtoni tashmë ka fituar.
Starmer nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë Trump, por tha se vendi I tij ka nevojë për seriozitet dhe jo për lojëra politike, një mesazh ky drejtuar partive opozitare në vend.
