PËRSHKALLËZOHET L*FTA / Izraeli g*det Libanin e Teheranin, Irani s*lmon objektiva në Gjirin Persik
Lufta në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet me sulme të reja mes Izraelit dhe Iranit. Ushtria izraelite goditi Libanin jugor, Bejrutin dhe një depo nafte në Teheran, ndërsa Irani sulmoi një impiant uji në Bahrein. Sipas autoriteteve iraniane, mbi 1,200 persona janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit.
Konflikti në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, me sulme të reja mes Izraelit dhe Iranit që po zgjerojnë hartën e luftës në disa vende të rajonit.
Izraeli ndërmori sulme ajrore në Libanin jugor dhe në Bejrut, ndërsa në Teheran u godit një depo e madhe nafte, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe flakë të mëdha që ndriçuan qiellin e natës.
Pamjet e publikuara nga agjencitë ndërkombëtare tregojnë shtëllungave të mëdha zjarri dhe tym të zi që u ngritën mbi kryeqytetin iranian pas sulmit ndaj depozitave të naftës.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar me sulme ndaj disa objektivave në rajon. Një impiant për desalinimin e ujit në Bahrein është goditur nga raketat iraniane, ndërsa më herët Teherani akuzoi SHBA-të për sulm ndaj një impianti të ngjashëm në ishullin Qeshm.
Ndërkohë, sipas Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit kanë dëmtuar rreth 10 mijë objekte civile në të gjithë vendin. Mes tyre janë mbi 7,900 banesa, më shumë se 1,600 objekte tregtare si dhe disa institucione shëndetësore dhe arsimore.
Autoritetet iraniane paralajmëruan qytetarët në Teheran për ndotje të rrezikshme të ajrit pas zjarreve në depot e naftës, ndërsa tymi i dendur dhe i zi ka mbuluar qiellin mbi qytet.
Sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, në këtë luftë janë vrarë të paktën 200 fëmijë dhe rreth 200 gra, ndërsa numri total i viktimave në Iran ka kaluar 1,200. Më shumë se 1,000 persona të tjerë janë plagosur, përfshirë qindra gra.
Në të njëjtën kohë, presidenti Pezeshkian paralajmëroi se Irani do të intensifikojë sulmet ndaj objektivave amerikane në rajon nëse sulmet ndaj vendit vazhdojnë.
Ai deklaroi se Irani nuk do të dorëzohet përballë presionit dhe se çdo sulm do të marrë një përgjigje edhe më të fortë.
