Gjelbërimi Urban në Shqipëri nën normat e rekomanduara nga OBSH
Shqipëria renditet ndër vendet me përqindje relativisht të lartë të gjelbërimit urban në nivel kombëtar, por realiteti në qytetet e mëdha mbetet shqetësues. Sipas një studimi të fundit hapësirat e gjelbra në qendrat urbane shpesh mbeten nën standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit.
Qendrat e banuara në Shqipëri vlerësohen se janë ende nën normat e rekomanduara nga OBSH, sa i përket hapësirave të gjelbëruara.
Sipas një studimi që vlerëson ekosistemet urbane në Ballkanin Perëndimor të publikuar në biorxiv, Shqipëria paraqet një situatë paradoksale sa i përket gjelbërimit urban.
Në nivel kombëtar përqindja e gjelbërimit në ekosistemet urbane arrin rreth 70_80% falë faktit se një pjesë e madhe e territorit mbetet ende rurale dhe natyrore.
Megjithatë në zonat artificiale dhe në qytetet e mëdha niveli i gjelbërimit bie ndjeshëm, duke u luhatur rreth 40-50%.
Kjo diferencë, sipas studimit, tregon se mesatarja kombëtare shpesh fsheh realitetin e qendrave urbane, ku ndërtimet intensive dhe zgjerimi i infrastrukturës kanë reduktuar hapësirat e gjelbra.
Në shumë raste, rritja e betonizimit dhe mungesa e planifikimit urban kanë ndikuar në uljen e sipërfaqeve të gjelbra të aksesueshme për qytetarët.
Ekspertët e mjedisit theksojnë se gjelbërimi urban luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit, uljen e temperaturave në qytete dhe rritjen e mirëqenies së banorëve.
Megjithatë në disa qytete shqiptare ndotja e ajrit vazhdon të jetë mbi normat e rekomanduar, ndërsa mungesa e hapësirave të gjelbra e përkeqëson këtë problem.
Për të përmirësuar situatën rekomandohen disa masa konkrete si: rritje e sipërfaqeve të gjelbra në qytete, krijimi i parqeve dhe korridoreve ekologjike, mbjellje e pemëve përgjatë rrugëve urbane dhe integrimin e gjelbërimit në projektet e reja urbane.
Vetëm përmes planifikimit të qëndrueshëm dhe politikave të qarta për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra, qytetet shqiptare mund të afrohen me standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe të ofrojnë një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët.

