Radonshiqi zbardh skemën: Ja si pasurohen bizneset në kurriz të shqiptarëve sa herë ka krizë

E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Alert” në Ora News, ekspertja e ekonomisë Romin Radonshiqi u shpreh se shqetësimi kryesor për Shqipërinë në rast të përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare mbetet spekulimi i tregut dhe rritja abuzive e çmimeve, që sipas saj reflektohet shumë më shpejt se në vendet e tjera.

"Unë do të doja ta nisja me një sqarim në makro. Unë mendoj që fuqitë e mëdha dhe vendet të cilat janë përfshirë dhe por se janë dhe të përfshirë në luftë, unë mendoj që ato pak a shumë e e parashikonin që një luftë e tillë dhe mund të ndodhte dhe kanë skenare se si të mbajnë ekonominë, të paktën për një periudhë afatshkurtër.

Ajo çka më shqetëson është pikërisht Shqipëria dhe e them këtë sepse në Shqipëri ka spekulime tregu dhe në momente ku s'ka luftë.

Imagjinoje, neve kur kemi festa, kemi spekulime tregu. Dhe them festa se këtu kam parasysh muajin e dhjetorit ku kemi parë që kemi rritje abuzime të çmimeve.

Ndërkohë që, në momentin që ne kemi lajme që ndoshta mund të jetë kjo luftë, mund të zgjasë dhe, dhe vetëm një muaj, edhe nëse nuk do të ketë një impakt indirekt, sepse deri në një muaj, domethënë, besoj se ekonomia shqiptare, ka mundësi deri në tre muaj të ketë rezerva dhe të mbajë ekonominë.

Por në Shqipëri brenda 24 orësh, reflektohen gjithmonë spekulimet e tregtarëve dhe në raste të tilla në Shqipëri fiton tregtari, fiton biznesmeni, ndërkohë që humb qytetari.

Dhe institucionet për mbrojtjen e konsumatorit ndonjëherë janë të vonuar, ose monitorojnë çmimet e produkteve, por nga ana tjetër thjesht monitorojnë dhe nuk vendosin gjoba apo nuk marrin masa me qëllim që këto pozita dominuese apo spekulatorët e tregut të marrin atë që meritojnë.

Dhe mua kjo më shqetëson pasi duhet të themi që rritja e çmimeve, sidomos në mënyrë abuzive, pra pa pasur efekte,  siç mund të themi për shembull, nëse rriten çmimet në tregjet globale, patjetër që ne jemi importues dhe do të kemi dhe ne një një rritje çmimesh të të importuar pikërisht nga këto produkte, por në Shqipëri, ndodh prapë, pa ndodhur rritja e çmimeve në në Europë, për shembull, apo ndoshta pa ndodhur rritja e çmimeve në bursë, tek ne reflektohet brenda 24 orëve apo ndoshta më shpejt.

Dhe kjo është ajo që mua më shqetëson. Ndërkohë që në momentin që ne kemi stabilitet të tregjeve ndërkombëtare apo të tregjeve financiare, ne nuk reflektojmë apo të bursave, ne nuk reflektojmë ulje çmimesh. Pra, në Shqipëri njohim vetëm rritje çmimesh.

Pse? Sepse tregtarët kanë psikologjinë e çmimit. Ato e dinë shumë mirë që qytetarët këtu u mësuan me këtë çmim dhe nuk bëhen një ulje çmimi, dhe nëse bëhet një ulje çmimesh të produkteve apo të shërbimeve, ajo është e papërfillshme dhe në raste të tilla pra, në raste luftrash apo probleme gjeopolitike, gjithmonë në Shqipëri fiton në mënyrë abuzive tregtari dhe në mënyrë të padrejtë rritet kosto e jetesës në Shqipëri dhe qytetari", u shpreh Radonshiqi.