VIDEO/ Shtigje për biçikleta dhe pika të reja turistike në Lagunën e Karavastasë

Punimet për sistemimin dhe mbrojtjen nga erozioni të argjinaturës së Lagunës së Karavastasë po shoqërohen edhe me ndërhyrje që përmirësojnë aksesin dhe potencialin turistik të kësaj zone unike natyrore.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi në këtë zonë po ndërtohen shtigje për biçikleta dhe për këmbësorë, si dhe  pika të reja turistike për vizitorët.

Kryeministri Rama tha se “kjo ndërhyrje jo vetëm mbron ekosistemin e lagunës, por edhe krijon më shumë hapësira për të shijuar natyrën dhe për të zhvilluar turizmin e qëndrueshëm në zone”.

Gjatë muajit shkurt u kryen punimet për ndërtimin e argjinaturës në Karavasta, e cila  mbron tokat bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut dhe garanton funksionimin e sistemit të kullimit drejt Hidrovorit.

Gjatë janarit erërat e forta deri në 8 ballë krijuan dallgë që arritën deri në 3 metra lartësi, duke kapërcyer argjinaturën e Karavastasë dhe duke shkaktuar shembjen e saj.

Mbi 70 metra argjinaturë ranore u gërryen dhe u shkatërruan nga forca e detit, ndërsa ujërat e kripura vërshuan drejt lagunës së Karavastasë dhe tokave bujqësore në zonën e Bedatit.

Laguna e Karavastasë ndodhet në qendër të Ultësirës Perëndimore të vendit tonë dhe bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës.

Është laguna më e madhe në Shqipëri dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut Laguna është e përbërë prej një lagune të brendshme dhe një lagune të jashtme më të vogël.

Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik. Laguna e Karavastasë dhe Parku Natyror i saj janë një ndër destinacionet më të frekuentuara në vend nga vizitorët.