Aleksandr Solzhenitsyn, nobelisti që i mbijetoi kthetrave të Gulagut
Aleksandr Solzhenitsyn është një nga figurat më të fuqishme të shekullit XX, pjesëz vitale në mozaikun e letërsisë së madhe ruse.
Ai i mbijetoi kthetrave të akullta të Gulagut dhe një diagnoze kanceri terminal, duke fituar më pas Çmimin Nobel dhe duke dëshmuar fuqinë e shpirtit njerëzor.
Aleksandr Solzhenitsyn u bë i burgosuri Sh-262, një numër mes miliona të tjerëve, i detyruar të punonte turne rraskapitëse në stepat e Kazakistanit, në temperatura që preknin -40°C.
Në atë zbrazëti të ngrirë, identiteti i tij si njeri dhe si oficer i dekoruar ishte fshirë zyrtarisht, zëvendësuar nga një inicial i qepur mbi rroba dhe nga përpjekja e përditshme për një tas supe të hollë.
Sistemi i Gulagut synonte jo vetëm shfrytëzimin fizik, por edhe shkatërrimin sistematik të shpirtit. Megjithatë, pikërisht në atë baltë të ngrirë, mes gishtave të mpirë që përpiqeshin të mbanin veglat e punës, Solzhenitsyn nisi të farkëtonte misionin e tij të vërtetë, të bëhej zëri i të mbyturve.
Të burgosurit, për të mos u çmendur, kërkonin estetikë edhe në ndërtimin e mureve të burgut, Aleksandri punonte me aq përpikmëri, sa për një çast puna e detyruar pushonte së qeni skllavëri dhe kthehej në dinjitet njerëzor, një formë rezistence e heshtur kundër kaosit të totalitarizmit.
Por fati kishte rezervuar një provë edhe më të errët. Pas tetë vitesh burgimi, ndërsa vuante internimin e përjetshëm në jugun e shkretë të Kazakistanit, Solzhenitsyn mori një diagnozë që dukej si vula e fundit tallëse e regjimit mbi jetën e tij, kancer i avancuar në stomak.
Në vitin 1953, vitin e vdekjes së Stalinit, njeriu që kishte mbijetuar luftën dhe kampet e punës u gjend i shtrirë në një klinikë onkologjike të mjerë në Tashkent. Kushtet ishin të dëshpëruara, mjekët, që punonin me pajisje rudimentare dhe me pak barna, i dhanë vetëm disa javë jetë. Pikërisht këtu historia e Solzhenitsyn-it merr një kthesë që duket e pabesueshme. Në një mjedis të mbushur me dhimbje dhe dorëzim, të cilin më vonë do ta përshkruante me realizëm kirurgjikal në romanin e tij “Pavijoni i Kancerit”, shkrimtari përjetoi një transformim shpirtëror.
Në mënyrë të pabesueshme, sëmundja u tërhoq derisa u zhduk. Solzhenitsyn e interpretoi këtë shërim, jo si një rast klinik, por si një mandat hyjnor, jeta i ishte falur që të dëshmonte për tmerret e sistemit sovjetik. Ky mision moral e çoi, në vitin 1970, në kulmin e njohjes botërore me Çmimin Nobel në Letërsi.
Motivacioni theksonte “forcën etike me të cilën ai ndoqi traditat e domosdoshme të letërsisë ruse”. Çmimi Nobel nuk ishte vetëm një çmim letrar, por një mburojë politike që e bëri zërin e tij të pamundur për t’u mbytur, pavarësisht përndjekjes së KGB-së dhe internimit të detyruar në Perëndim.
Që nga ai moment, çdo ditë u jetua me disiplinë të hekurt. Pasi u kthye në Rusi, ai shkroi me ngulm, shpesh në fshehtësi, duke fshehur dorëshkrime nën dërrasa dyshemeje ose duke ua besuar miqve të besuar. Kjo “jetë e dytë”, e rrëmbyer nga kanceri, u bë motori i një prodhimi letrar që do të ndihmonte në rrëzimin, copë pas cope, të skelës morale të Bashkimit Sovjetik.
Karriera e Solzhenitsyn-it na lë një trashëgimi që shkon përtej politikës: idenë se e vërteta është një forcë biologjike po aq e fuqishme sa kanceri, e aftë të rigjenerojë një popull të tërë nëse dikush ka guximin ta shqiptojë.
Aftësia e tij për t’i bërë ballë të ftohtit siberian dhe metastazave të sëmundjes mbetet simbol i një shprese universale: njeriu, edhe kur reduktohet në një numër si Sh-262, zotëron një dritë të brendshme që asnjë sistem shtypës nuk mund ta shuajë plotësisht.
Vdekja e tij, e ndodhur vetëm në vitin 2008, në moshën 89-vjeçare, vulosi triumfin e një njeriu që mposhti dy diktatura: atë të njeriut dhe atë të biologjisë.
Trashëgimia e Solzhenitsyn-it nuk është thjesht letrare, por morale dhe universale. Ai na kujton se e vërteta, e shqiptuar me guxim, ka fuqinë të shërojë plagë kolektive dhe të rikthejë dinjitetin e humbur. Jeta e tij, e shtrirë mes stepave të ngrira dhe pavijoneve të sëmundjes, përfundoi si një testament i gjallë se njeriu nuk është kurrë thjesht një numër.
Në dritën e tij, që nuk u shua as nga Gulagu, as nga kanceri, gjeneratat e ardhshme gjejnë një shembull të pashlyeshëm të qëndresës dhe të besimit se shpirti njerëzor është më i fortë se çdo diktaturë.
Shkëputur nga "Ne jemi engjëj njerëzorë"
Përgatiti: Albert Vataj


