Identifikohen 6 amerikanët e vr*rë nga droni iranian që goditi bazën amerikane Kuvajt

Pentagoni ka konfirmuar identitetet e gjashtë ushtarëve amerikanë që humbën jetën në një sulm me dron ndaj një qendre komanduese në Kuvajt. Ngjarja ndodh në mes të përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Pentagoni ka konfirmuar identitetet e gjashtë ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë konfliktit me Iranin, pasi një dron sulmoi një qendër komanduese ushtarake në Port Shuaiba, në Kuvajt.

Sulmi ndodhi të dielën dhe fillimisht u raportua për tre viktima, por më vonë autoritetet konfirmuan se numri i të vrarëve ishte rritur në gjashtë, pasi një ushtar ndërroi jetë nga plagët dhe dy trupa të tjerë u gjetën nën rrënoja.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, objekti i goditur ishte një qendër operacionale taktike që përdorej nga personeli amerikan në Kuvajt. Zyrtarët amerikanë thanë se sistemi ajror pa pilot arriti të shmangte mbrojtjen ajrore dhe goditi ndërtesën ku ndodheshin ushtarët.

Tre zyrtarë të ushtrisë, të cituar nga mediat amerikane, thanë se personeli punonte në një hapësirë të përkohshme zyre, e mbrojtur me barriera betoni të përforcuar me çelik.

Sekretari i Ushtrisë amerikane, Daniel Driscoll, deklaroi se ushtarët “sakrifikuan jetën në shërbim të vendit” dhe se kontributi i tyre nuk do të harrohet.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti Donald Trump do të marrë pjesë në ceremoninë e kthimit të trupave në Shtetet e Bashkuara për t’u shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.

Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi ushtarak me Kuvajtin dhe mbi 13 mijë trupa amerikane janë të vendosura në këtë vend të Gjirit.

Sulmi vjen në një moment kur Irani ka intensifikuar goditjet me raketa dhe dronë ndaj vendeve aleate të SHBA-së në rajon, duke rritur tensionet në Lindjen e Mesme