Izraeli nis një valë të re sulmesh ndaj Iranit

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan sot në mëngjes se kanë filluar goditjen e infrastrukturës në Iran.

“IDF-ja sapo ka nisur një valë sulmesh në shkallë të gjerë kundër infrastrukturës së regjimit terrorist iranian në mbarë Teheranin”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite të publikuar në platformën Telegram.

Dëshmitarë okularë raportuan se janë dëgjuar shpërthime në zonën e Teheranit.

Në një njoftim të veçantë, ushtria izraelite bëri të ditur se Forcat Ajrore të Izraelit kanë përfunduar një seri sulmesh të bazuara në inteligjencë në Bejrut, duke goditur disa qendra komanduese që i përkasin organizatës Hezbollah.

Gjatë gjithë natës janë aktivizuar disa herë alarmet për raketa në Izrael, ndërsa janë raportuar sulme të njëkohshme me raketa ndaj territorit izraelit nga Irani dhe Libani.

Një banor i Tel Avivit tha se ka dëgjuar shpërthime të fuqishme. Deri më tani nuk ka raportime fillestare për të lënduar.