KUBA PREJ DITËSH PA DRITA! Defekt në termocentral, kriza e karburantit rëndon sistemin energjetik

Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka lënë miliona njerëz pa drita në Kubë, përfshirë kryeqytetin Havana. Autoritetet thonë se defekti në një nga termocentralet kryesore të vendit ka shkaktuar blackout në pjesën më të madhe të ishullit.

Miliona njerëz në Kubë kanë mbetur pa energji elektrike pas një ndërprerjeje të madhe që goditi pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Havana. Autoritetet kubaneze thanë se ndërprerja u shkaktua nga një defekt i papritur në termocentralin Antonio Guiteras, një nga impiantet kryesore të prodhimit të energjisë në ishull.

Kriza energjetike në Kubë është përkeqësuar vitet e fundit për shkak të mungesës kronike të karburantit dhe infrastrukturës së vjetruar të prodhimit të energjisë.

Shumë prej termocentraleve në vend janë mbi 30 vite të vjetra dhe kërkojnë investime të mëdha për mirëmbajtje dhe modernizim.

Situata është rënduar edhe nga kufizimet e furnizimit me naftë, pasi Venezuela – një nga furnizuesit kryesorë të Kubës – ka reduktuar ndjeshëm eksportet e saj pas zhvillimeve politike të fundit.

Sanksionet dhe presioni ekonomik i Shteteve të Bashkuara kanë kufizuar gjithashtu dërgesat e naftës drejt ishullit, duke rritur vështirësitë për prodhimin e energjisë.

Ndërprerjet e energjisë janë bërë një fenomen i shpeshtë në vend dhe në disa zona kanë zgjatur deri në 18 orë në ditë, duke ndikuar në funksionimin e spitaleve, furnizimin me ujë dhe transportin publik.

Autoritetet kanë paralajmëruar se rikthimi i plotë i energjisë mund të zgjasë disa ditë, ndërsa prioritet do të kenë institucionet kritike si spitalet dhe shërbimet emergjente.