Zgjedhja e presidentit në Kosovë, gazetari Robelli: Kur partitë janë të papërgjegjshme fillon loja me emrat
Gazetari Enver Robelli ka reaguar lidhur me zgjedhjen e presidentit në Republikën e Kosovës. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook ai shkruan se, kur partitë janë të papërgjegjshme, atëherë fillon loja me emra.
Sipas Robellit, tre liderë po mbajnë peng 1.6 milionë banorë, duke u fshehur pas procedurave ndërsa ndjekin interesa personale. Ndër të tjera ai thekson se qytetarët vuajnë pasojat e kësaj politike, ndërkohë që liderët e trajtojnë popullin si pronë private.
Postimi i plotë:
"Kur partitë janë të papërgjegjshme, atëherë fillon loja me emra. A bën ky? A bën ai? Ndoshta bën ajo? Ose ajo tjetra? Ka edhe të tillë që thonë, faqe botës, me gojë e me shkrim: “Hej, edhe unë jam këtu, i gatshëm të sakrifikohem”. Natyrisht pa ua kërkuar sakrificën askush. Por të tillët kanë shumë vetëbesim, e hedhin pullazin e parlamentit në hava nga ky vetëbesim.
Së paku një kryetar partie dëshiron të bëhet vetë president, andaj në takime me kryeministrin shkon vetëm. Propozohen kandidatë të tjerë sipas mentalitetit fisnor. Djali i këtij, vajza e atij. Gati 30 vjet pas luftës! Ende mbizotëruese mendësia tribale.
A kërkohet ndonjë përvojë politike për këtë post? A duhet të ketë një profil të caktuar për president & presidente? Një lloj pjekurie mentale e emocionale? A kërkohet nga kandidati apo kandidatja të njoh pak edhe botën? Jo, jo, asgjë nuk kërkohet.
Tre burra mbajnë peng 1,6 milionë banorë. Secili përpiqet të shfajësohet: nuk kemi emër, kemi emër, jo nuk kemi folur për emra, por nëse na kërkohet, do të nxjerrim emër, jemi për konsensus, s’jemi për konsensus nëse propozimi nuk na shkon përshtati, jo, jo, partia e parë e ka përgjegjësinë të propozojë një kandidat, jo, jo, partitë e opozitës e kanë përgjegjësinë të jenë bashkëpunuese.
Drama vazhdon. Paradite thonë: vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, pasdite brohorasin: jemi të gatshëm për zgjedhje. Në mbrëmje hiqen si idealistë, në mëngjes si demagogë. Të shkëputur nga realiteti dhe aq mospërfillës ndaj popullit, saqë orë e çast i referohen popullit, të cilin, në fakt, e trajtojnë si pronë private. Kjo është një tallje institucionale. Bartësit e vullnetit të popullit “fshihen” pas procedurave, rregullave, “mandatit nga populli”, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e kësaj politike në jetën e përditshme. Argëtimi i keq vazhdon. Kanë mbetur edhe pak orë. Ama tallja do të vazhdojë. Edhe nëse Kosova shkon në zgjedhje.", shkruan Robelli.