"Po 'tunden' karriget e pushtetit"/ Kuçana: Shkarkimi i Prodës dhe zv.Kryeministres tregojnë panik, janë hequr 'mercenarët'
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana, ishte e ftuar në studion e OraNews ku komentoi zhvillimet e fundit politike, shkarkimet në Policinë e Shtetit dhe për protestat e opozitës.
Kuçana i cilësoi lëvizjet e fundit në qeveri si shenjë frike brenda mazhorancës, duke i lidhur ato me presionin në rritje nga qytetarët dhe opozita.
“Qartazi që Edi Ramës po i tunden karriget e pushtetit. Shkarkimi i Ilir Prodës dhe emërimi i njerëzve pranë Belinda Ballukut tregojnë panik. Rama e di që do të duhet të lërë pushtetin. Qytetarët janë të revoltuar për shumë arsye, nga pamundësia për të mbyllur muajin te mungesa e ilaçeve në onkologjik, nga largimi i të rinjve te vështirësitë e minatorëve dhe taksixhinjve.”- tha ajo.
Ajo foli edhe për situatën në Policinë e Shtetit, duke e lidhur ndryshimin në drejtim me tensionin politik dhe protestat e fundit.
“Është hequr një mercenar dhe është vendosur një tjetër. Këto janë lëvizje për t’u përdorur kundër qytetarëve dhe opozitës në protestë. Ne ishim në një marshim paqësor dhe u përballëm me policinë që kishte bllokuar rrugën. Policia është institucion dhe nuk duhet të ketë frikë nga qytetarët.”- shtoi Kuçana.
Kuçana shtoi se, sipas saj, numri i zyrtarëve të lartë nën hetim ose në burg është tregues i situatës së rëndë të korrupsionit.
Ajo tha se protesta synon largimin e krimit dhe korrupsionit nga qeverisja, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar dhe jo thjesht politik.
Ndiqni intervistën e plotë:

