Shqiptarja në Izrael/ Gani: 18 sirena në ditë, jeta e përditshme është paralizuar nga sulmet
Situata në Izrael mbetet kritike pas sulmeve të fundit, me jetën e përditshme të paralizuar plotësisht. Në një lidhje të drejtpërdrejtë, Jeta Gani, një shqiptare që jeton atje prej 35 vitesh, përshkroi një realitet lufte, me sirena të vazhdueshme, sulme në të gjithë territorin e vendit dhe qytetarë të mbyllur në shtëpitë dhe strehimet e tyre.
"Vendi është në gjendje lufte jo vetëm me forcat nga Irani, por edhe me Hezbollahun, i cili ka nisur sulme nga veriu. Ndryshe nga konfliktet e mëparshme që shpesh ishin të lokalizuara, këtë herë "i gjithë shteti i Izraelit" është nën sulm.
Jeta e përditshme ka ndalur. Sipas Ganit, e cila është mësuese, të gjitha shkollat, bizneset dhe shërbimet jo-thelbësore janë mbyllur. Ajo tregoi se si nipi i saj kishte numëruar 18 alarme vetëm gjatë ditës në njërën nga ditët e mëparshme.
"Dy ditët e para i kemi kaluar vetëm në dhomën e strehimit," rrëfeu ajo, duke ilustruar intensitetin e situatës. Qytetarët janë udhëzuar të qëndrojnë pranë strehimeve dhe të mos dalin jashtë.
Pavarësisht frikës dhe pasojave të rënda psikologjike dhe ekonomike, Gani përcolli një ndjenjë qëndrueshmërie. Ajo deklaroi se populli i Izraelit është mësuar të jetojë në kushte konflikti, por shpreson që kjo të jetë lufta e fundit.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
