Kryepiskopi Joan në SHBA, bashkon 15 hierarkë në të Dielën e Orthodhoksisë

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joan, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas.

Ai është ftuar nga Elpidofor, i cili e priti në aeroport së bashku me disa klerikë.

Më 1 mars 2026, në të Dielën e Orthodhoksisë, Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Ekaterinës në Braintree, Massachusetts.

Në këtë shërbesë morën pjesë 15 hierarkë nga Kishat e tjera Autoqefale Orthodhokse, si edhe dy episkopët e dioqezave shqiptare në Amerikë.

Prania e përfaqësuesve nga kisha të ndryshme ortodokse krijoi një atmosferë bashkimi dhe bashkëpunimi, duke mbledhur rreth një tryeze të përbashkët një numër të madh hierarkësh pas shumë vitesh.

Konferenca Ndërkombëtare në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas zhvillohet nga data 2 deri më 4 mars në ambientet e Shkollës Theologjike të Patriarkanës Ekumenike “Kryqi i Nderuar” në Boston.

Më 2 mars, Kryepiskopi Joan do të mbajë fjalën kryesore në këtë aktivitet, ku marrin pjesë klerikë dhe studiues nga vende të ndryshme.

Vizita e tij në Shtetet e Bashkuara do të vijojë edhe të dielën, më 8 mars, kur ai do të drejtojë Liturgjinë Hyjnore në Kishën historike të Shën Gjergjit në Boston, e themeluar nga Theofan Noli.

Në këtë shërbesë do ta shoqërojë episkopi i Kryepeshkopatës shqiptare në Amerikë, Hirësia e Tij Nikodhimi.

Kjo vizitë po shihet si një moment i rëndësishëm për komunitetin orthodhoks shqiptar në SHBA dhe për bashkëpunimin mes kishave autoqefale.