Ndeshja Vllaznia- KF Tirana/ Myrtaj: Deri në 27', bardheblutë e dominuan Vllazninë. Loja ndryshoi kur...
I ftuar në studion e Ora Sport, gazetari sportiv Isuf Myrtaj analizoi klasiken mes Vllaznisë dhe KF Tirana, një sfidë që prodhoi jo vetëm përmbysje në rezultat, por edhe debat për paraqitjen e disa lojtarëve.
Sipas Myrtajt, Tirana e nisi ndeshjen më mirë dhe e dominoi Vllazninë deri në minutën e 27-të, duke konkretizuar epërsinë me golin e Xhixhës. Megjithatë, pas avantazhit loja ndryshoi rrjedhë.
“Deri në minutën e 27-të Tirana e dominoi totalisht Vllazninë dhe goli i Xhixhës ishte rrjedhojë e atij dominimi. Më pas loja ndryshoi, Vllaznia mori masa të shpejta dhe Orges Shehi e humbi betejën taktike.”- tha gazetari.
Ai vlerësoi ndërhyrjet e shpejta të stafit të Vllaznisë dhe sidomos aktivizimin e Lirim Kastratit, që solli energji dhe ndryshoi ekuilibrat në pjesën e dytë.
Debati më i madh, sipas tij, lidhet me paraqitjen e mbrojtësit Kortes, si dhe me menaxhimin e Alivaros nga stoli bardheblu.
“Bomba e ndeshjes ishte sjellja e Kortes. Fillimisht nxori në mënyrë të pakuptimtë një top në korne dhe te goli i dytë bëri një autogol, një gafë të rëndë. Edhe zëvendësimi i tij erdhi shumë vonë.”- shtoi Myrtaj.
Myrtaj ngriti pikëpyetje edhe për aktivizimin e Fredi Alivaros, i cili u fut në minutat e fundit, kur rezultati ishte vendosur.
Sipas tij, ndeshja la pas shumë diskutime dhe do të komentohet gjatë, jo vetëm për rezultatin, por edhe për zgjedhjet taktike dhe individuale.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT":
