Johnny Cash, legjenda e muzikës amerikane

Sot kujtohet lindja e legjendës së muzikës country, Johnny Cash, një prej figurave më të njohura dhe më me ndikim në historinë e muzikës amerikane.

Cash lindi më 26 shkurt 1932 në Kingsland, Arkansas dhe u shndërrua në një ikonë që tejkaloi kufijtë e zhanrit të tij. Cash u rrit në një familje fermerësh, një përvojë që ndikoi thellë në temat e këngëve të tij. Ai e nisi karrierën në vitet ’50 pranë Sun Records, së bashku me emra të tjerë të mëdhenj të epokës si Elvis Presley dhe Jerry Lee Lewis, duke sjellë një stil që bashkonte country, rock, folk, blues dhe gospel.

I njohur si “The Man in Black”, Cash zgjodhi të vishte gjithnjë të zeza si shenjë solidariteti me të varfrit, të përjashtuarit dhe ata që “nuk kishin zë në shoqëri”.

Performancat e tij në burgje, veçanërisht në Folsom Prison më 1968 dhe San Quentin më 1969, sollën një revolucion në muzikën live. Albumi “At Folsom Prison” mbetet një prej albumeve më të vlerësuara të të gjitha kohërave

Martesa dhe bashkëpunimi artistik me këngëtaren June Carter u bë një prej historive më të famshme të muzikës amerikane. Kënga e tyre Jackson fitoi çmimin Grammy.

Gjatë karrierës së tij, Cash u nderua me 13 çmime Grammy dhe u pranua në Country Music Hall of Fame dhe Rock and Roll Hall of Fame, një arritje e rrallë për një artist të skenës country.

Filmi biografik “Walk the Line” i vitit 2005, ku Joaquin Phoenix interpretoi Cash risolli figurën e tij te publiku i ri.

Përvjetori i lindjes mbetet një moment për të kujtuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në historinë e muzikës dhe artit modern.