Ekstradohet nga Dubai drejt Shqipërisë Durim Bami, i forti i Niklës me “CV të pasur kriminale”
Durim Bami, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri që vepron kryesisht në Fushë-Krujë dhe Tiranë, do ekstradohet sot nga Dubai në Tiranë. Sipas njoftmit të policisë, GJKKO i ka caktuar 47-vjeçarit banues në Nikël, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat e mëposhtme:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Uniformat bëjnë me dije se, pas mbërritjes së Bamit, do të ketë një njoftim të plotë për median.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.
Durim Bami
Kush është Durim Bami?
Ndalimi i Durim Bamit në Dubai është kryer në datën 21 Tetor 2024. Kjo ishte hera e dytë që Durim Bami, u arrestua nga policia e Dubait, pasi ai kishte shkelur rregullat e paraqitjes në një nga rajonet e policisë së Dubait.
Për herë të parë ai u ndalua në muajin qershor 2024, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK në muajin Maj 2024. Shumë shpejt ai u lirua nga gjykata duke përfituar një leje qëndrimi dhe garancie për tu paraqitur në komisariat sa herë ishte e nevojshme për tu verifikuar.
Por tre thirjeve në E-Mail të policisë së Dubait për ta verifikuar, Durim Bami, nuk i është përgjigjur çka solli arrestimin e tij për herë të dytë. Bami ka pretenduar se nuk kishte parë E-mailet ndaj nuk ishte paraqitur fizikisht në polici, ditën dhe orën e planifikuar.
Por këto pretendime nuk e ndihmuan për tu liruar nga burgu. Tashmë Durim Bami, ka humbur dhe procesin gjyqësor, duke i hapur rrugën ekstradimit të tij në Shqipëri.

