DETAJET NGA SEANCA/ Vr*sja e Çajup Selimit, dëshmitari në gjyqin për grupin e Laert Haxhiut: E kishin qëlluar, nga goja po nxirrte…

Ka vijuar seanca në gjyqin për grupin e Laert Haxhiut. Gjatë ditës së sotme janë pyetur dëshmitarët për episodin e vrasjes së Çajup Selimit me 1 qershor 2021.

Leonard Selimi: Çajup Selimin e njihja kur ishte gjallë. Jetonim në një pallat në Tepelenë. Kur ndodhi vrasja, unë kisha ditëlindjen dhe isha brenda në banesë. Ka qenë rreth orës 21.00 e mbrëmjes.

Unë nuk pashë gjë kush qëlloi. Isha brenda në shtëpi kur ndodhi ngjarja, nuk dëgjova as zhurma. Nuk pash asgjë. U qëllua me dy plumba, njëri plumb më hyri në shtëpi me rrezikoi vajzën dhe gruan. Nuk dëgjova krisma, dola jashtë kur më hyri plumbi në shtëpi bashkë me nusen. Unë pash vetëm që atij i dilte gjak nga goja. Vetëm unë iu afrova, e kuptova që kishte vdekur. U mundova t’i jap ndihmën e parë, por ai nuk reagoi.

Nuk kisha mundësi ti beja gjë, ai nuk reagonte fare. Doli nusja e tij duke bërtit, pastaj dolën të gjithë poshtë. Edhe ata nuk kishin dëgjuar gjë. E mora vesh pastaj nga televizori se pse kishte ndodhur. E njihja djalë punëtor, të qetë, punonte, e njihja për pozitiv.

Çajupi shiste çimento, kishte magazinë. Takoheshim bashkë, në kafe nuk u ulëm kurrë sepse nuk pinte, por bisedonim. Derisa u vra nuk kam ditur gjë, mora vesh më vonë që ka pasur probleme. Kishte pasur sherr me ca çuna nga fshati, me të tjerë nuk di gjë.

Si fytyra i njoh, me emra nuk i mbaj mend. Janë tre çuna kishin bërë sherr me të, pastaj erdhën te varrimi. Sherri u mbyll më pas mes tyre. Ahmet Abedinin e njoh. Ka një dyqan aty në krah të Çajupit. Drita Abedinin gruan e Ahmetit e njoh. Nuk di të ketë pasur konflikt mes tyre.