BLLOKIMI I RRUGËS SË JUGLINDJES/ Shembja në Librazhd-Prrenjas mban “peng” transportuesit në Qafë Thanë
Dhjetra Kamionë të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuar në Qafë Thanë për shkak të ndërprerjes së qarkullimit në aksin Librazhd-Prrenjas, duke shkaktuar vonesa dhe humbje ekonomike për transportuesit. Alternativa për të kaluar nga Kosova nuk po funksionon pasi sic thonë nuk u plotësojnë dokumentacionin.
Mbi 50 mjete të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuara prej të dielës në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, për shkak të bllokimit të qarkullimit në aksin Librazhd-Prrenjas pranë vendit të quajtur “Ura e Arrave”.
Pjesa më e madhe janë kamionë që vijnë nga Turqia, Maqedonia e Veriut ose vende të tjera dhe që synonin të kalonin transit në Shqipëri drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ky transportues nga Turqia thotë se situata, krahas lodhjes, po i krijon edhe probleme ekonomike.
Prej tre ditësh po presim këtu në vështirësi. Jemi në situatë të keqe. Flemë në kamion. Nuk kemi as një vend afër ku të hamë diçka, as restorant pranë, as vend ku të blejmë ushqim. Çdo gjë është shpenzim, shpenzim, shpenzim. Vërtet jemi në gjendje shumë të vështirë. Çfarë do të bëjmë? Do të presim. Jemi të detyruar të presim. Nuk kemi alternativë tjetër. Do të presim hapjen e rrugës. Kur do të hapet rruga? Kjo tashmë varet nga ju.'
Një tjetër drejtues mjeti nga Turqia thotë se u kanë dhënë shpresë që rruga mund të hapet të premten, një informacion ky që nuk është konfirmuar nga autoritetet zyrtarisht.
"Buka jonë mbaroi, që nga e diela jemi këtu. Sipas informacionit që kemi marrë nga klienti, thonë se rruga do të hapet të premten në provë. Dje na thanë se do të hapej, pritëm, por thanë se dolën probleme më të mëdha. Po fle në mjet, brenda në automjet"
Ai thotë se alternativa për të udhëtuar drejt Kosovës dhe më pas për t’u rikthyer në Shqipëri për ta nuk funksionon, për shkak se nuk u plotësojnë dokumentacionin e kërkuar. Në këto kushte, transportuesi thotë se ata mbeten në pritje në rrugë.
Mund të shkojmë edhe në Kosovë. Nuk mund të bëjmë dokumentet (procedurat) këtu. Nëse i bëjmë në Kosovë, mund të hyjmë sërish në Shqipëri nga Kosova. Por atje nuk po na i bëjnë. Një shok shkoi, por nuk ia bënë. U kthye prapë. jemi të detyruar të presim.
Vetëm në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës hyjnë dhe dalin më shumë se 200 mjete të tonazheve të rënda; pjesa më e madhe vijnë nga Turqia e Maqedonia, ndërsa në dalje volumin më të madh të eksporteve e kanë fermerët e fushës së Myzeqesë.
