Molière, poetika e rafinuar e groteskut dhe fshikulluesi i pamëshirshëm i hipokrizisë

Molière mbetet një nga themeluesit e komedisë moderne evropiane, zëri më origjinal i kësaj shtjelle krijimi. Ai nuk ishte thjesht një autor farsash, ai ishte një anatomist i shpirtit njerëzor, një dramaturg që e përdori të qeshurën si instrument kritik, si bisturi morale, si mënyrë për të zhveshur njeriun nga maskat e vetë-mashtrimit.

Në një shekull të dominuar nga klasicizmi, etiketa e oborrit dhe autoriteti i institucioneve fetare, ai krijoi një teatër realist, psikologjik dhe shoqëror, i cili godiste veset pa sulmuar individin. Satira e tij ishte universale, nuk shënjestronte emra, por tipologji; jo fytyra konkrete, por dobësi të përhershme të natyrës njerëzore.

Veprat e tij provokuan shpesh indinjatë, sidomos në qarqet konservatore dhe kishtare. Megjithatë, ai gëzoi mbrojtjen e fuqishme të Louis XIV, “Mbreti i Diellit”, i cili e vlerësoi talentin e tij pas suksesit të komedisë Les Précieuses ridicules (1659).

Brenda pak më shumë se trembëdhjetë vjetësh, Molière kompozoi rreth tridhjetë komedi, duke lëvizur nga farsat brilante drejt dramave morale me thellësi psikologjike. Ai nuk kurseu asnjë shtresë shoqërore, borgjezinë, aristokracinë, pseudo-intelektualët, mjekët pedantë, por e la të paprekur sovranin, figurë që në imagjinatën politike të kohës barazohej me rendin natyror.

Qeshja tek Molière-i nuk është zbavitje sipërfaqësore, ajo është proces çmaskimi. Spektatori qesh me personazhin, por në fund kupton se qesh me veten.

Hipokrizia, arroganca, xhelozia, lakmia, konformizmi, krejt këto janë fijet që përbëjnë strukturën dramatike të komedive të tij. Në vend të heronjve sublimë, ai sjell njerëz të zakonshëm, të brishtë, të përfshirë në komedi dramatike të përditshme.

Ai nuk godet individin, por defektin universal. Kjo e bën veprën e tij të përhershme.

I lindur në Paris më 15 janar 1622 si Jean-Baptiste Poquelin, në një familje borgjeze të pasur, ai humbi nënën në moshën dhjetëvjeçare, një traumë që shumë studiues e lidhin me mungesën pothuajse totale të figurës së nënës në teatrin e tij.

Studimet i kreu në Kolegjin e Clermont-it (jezuit), ku u ndikua nga skepticizmi filozofik dhe mendimi libertin. Më pas mori licencën në drejtësi në Orléans, por braktisi një karrierë të sigurt për teatrin, një zgjedhje që e çoi fillimisht drejt dështimit dhe burgut për borxhe.

Në vitin 1643 themeloi “L’Illustre Théâtre”. Dështimi financiar i kompanisë e detyroi të largohej nga Parisi dhe për afro pesëmbëdhjetë vjet ai udhëtoi nëpër provinca, duke u formuar si aktor dhe dramaturg.

Ngjitja drejt pjekurisë artistike

Pas rikthimit në Paris më 1658 dhe paraqitjes para mbretit, Molière kuptoi se tragjedia nuk ishte fusha e tij. Komedia ishte territori ku ai shkëlqente.

“Shkolla e grave” (1662).

Me këtë vepër ai thelloi analizën psikologjike dhe theu klishetë tradicionale. Personazhi Arnolphe mishëron frikën mashkullore ndaj emancipimit femëror. Vepra u konsiderua skandaloze dhe nxiti polemika të zjarrta.

“Tartufi” (1664), kryevepra e tij morale, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj hipokrizisë fetare. Vepra u ndalua për katër vjet nën presionin e klerit, por u rikthye falë mbështetjes mbretërore.

Këtu Molière artikulon programin e tij estetik, komedia duhet të korrigjojë njerëzit duke i argëtuar.

“Don Giovanni” (1665), tjetër vepër e tij kulmore, një figurë libertine, joshëse dhe blasfemuese, që tronditi opinionin fetar.

“Mizantropi” (1666), një nga dramat më të thella psikologjike të tij, e kuptuar plotësisht vetëm nga një publik i kultivuar.

Veprat e mëvonshme,

“Koprraci”, “Zotëria borgjez”, “Gratë e ditura”, “I sëmuri imagjinar”, të gjitha eksplorojnë obsesionet njerëzore, shpesh me tone më të lehta, por me thelb kritik të pandryshuar.

Fundi dramatik i komedianit të madh.

Më 17 shkurt 1673, gjatë shfaqjes së katërt të “I sëmuri imagjinar”, Molière, i prekur nga tuberkulozi, u sëmur rëndë në skenë. Pak orë më vonë ai vdiq.

Për shkak se konsiderohej aktor (një profesion i përbuzur nga Kisha) dhe nuk arriti të merrte sakramentet në kohë, iu mohua fillimisht varrimi fetar. Vetëm ndërhyrja e mbretit bëri të mundur një varrim të heshtur, pa ceremoni publike.

Molière themeloi teatrin realist modern. Ai e çliroi komedinë nga farsat e thjeshta dhe i dha asaj dinjitet filozofik.

E qeshura e tij nuk është e lehtë, ajo destabilizon, çmonton, demaskon. Në komeditë e tij nuk ka moralizim të thatë, por reflektim përmes ironisë.

Në fund, Molière na mëson se grotesku është vetëm një pasqyrë e shtrembëruar e dramës sonë të përditshme. Dhe se, nëse guxojmë të qeshim me veten, kemi bërë hapin e parë drejt njohjes së vetes.

Përgatiti: Albert Vataj