EMRI/ I shpallur në kërkim nga Venecia për narkotikë dhe korrupsion, arrestohet 64-vjeçari në Berat

Shtetasi shqiptar, 64 vjeç Adriano Patosi, u arrestua në Berat nga policia shqiptare, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për korrupsion dhe përfshirje në trafik narkotikësh.

Koordinimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve italianë bëri të mundur ndalimin e tij, ndërsa specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe shërbimet e qarkullimit rrugor morën pjesë në operacion.

Gjykata e Apelit e Venecias kishte caktuar për të masën e sigurisë “Arrest në burg” për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe për korrupsion.

Aktualisht vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës për finalizimin e procedurës së ekstradimit të tij drejt Italisë.