KËRCET “MATRAPIKU”/ Vijon çlirimi i hapësirave rreth shkollave, aksioni në të gjithë vendin (VIDEO)

Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave përreth institucioneve arsimore nga ndërtimet e paligjshme.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ndërhyrjet në terren pranë dy shkollave në Shkodër.

“Ecim pa të shtunë e pa të dielë. Aksioni pranë shkollës “Ndre Mjeda” dhe “Shejnaze Juka” ku u ndërhy për prishjen e objekteve të ngritura në afërsi të tyre, për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe për t’ia kthyer hapësirën komuniteti”, theksoi Rama.

E nisur në muajin korrik të vitit që lamë pas, nisma pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.

Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 18 884 raste shkeljesh. Nga këto, 14 669 janë zgjidhur, ndërsa 4215 raste janë në proces shqyrtimi.