OPOZITA NË SHESH/ Hasimja: Kemi nevojë për frymë bashkimi, eja krijoje edhe ti shpresën këtu, në këtë shesh
Partia Demokratike dhe aleatët e saj mbajnë sot protestën e katërt kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë me kërkesën për largimin e qeverisë.
Mbështetësit e opozitës u mblodhën fillimisht tek selia e Partisë Demokratike, ndërsa të tjerë u bashkuan përgjatë segmenteve rrugore.
Protestuesve nga podiumi para Kryeministrisë iu drejtua pedagogu, analisti politik Ermal Hasimja
Pjese nga fjalimi i Ermal Hasimes
Qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, shpresa nuk vjen nga qielli, as përtej detit, as me helikopter. Ejani dhe krijojeni shpresën në këtë shesh. Ejani jo vetëm për të dënuar qeverinë që nuk e doni dhe jeni shumë. Ejani edhe për t'i treguar forcën tuaj çdo qeverie që do të vijë në të ardhmen, që do të mos mund të abuzojë me vullnetin tuaj. Edhe në qoftë se ajo qeveri do të dali nga kjo shesh, nga ky shesh.
Njerëz të lirë të këtij vendi, njerëz të ndershëm të këtij vendi, dhe sidomos ju intelektualë. Asnjë ndryshim nuk ka ardhur ndonjëherë nga kafet dhe divanet e rehatshme të shtëpive. Ejani këtu, merrni rolin tuaj dhe bashkohuni me ne. Nëse mendoni se politika është e pistë, keni shumë të drejtë. E mendoj edhe unë.
Ajo është e pistë sepse të ndershmit i largohen dhe u hapin rrugë kështu të pandershmëve. Nëse mendoni se politika është e vështirë, keni prapë shumë të drejtë. Është shumë e vështirë. Sepse ndryshimi kërkon sakrifica.
Por mos harroni diçka. Vendi më i sigurt për një anije është porti, por anijet nuk janë bërë për të qëndruar në port. Kanë tjetër mision. Dhe nëse nuk ju pëlqejnë që partitë që janë këtu përpara meje, hajdini dhe bëni partinë tuaj. Bëjeni vetë. Vetëm mos harroni, edhe në i bëfshi 100 parti, se partia e shqiptarëve është shqiptaria.
Qytetarë të vendit tim. E di që jeni thellësisht të zhgënjyer nga politikanët dhe nuk i besoni pothuajse më askujt. Por përpara se të vendosni për kë do të votoni dhe kundër kujt do të votoni, bashkohuni me ne që të kërkojmë kushtin minimal të demokracisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkohuni me ne.
Bashkohuni me ne për të mbrojtur ata gjykatës dhe prokurorë të ndershëm që i nxorën bojën këtij sistemi të kalbur. Ndërkohë që ne jemi këtu, të pandershmit shpresojnë që ne të shohim te njëri-tjetri të gjithë dallimet e mundshme dhe jo atë që na bashkon. Ata shpresojnë që ne të mendojmë se ky vend nuk bëhet më.
Ata shpresojnë që ne të bëjmë gati valixhet dhe të ikim. Ata shpresojnë që ne të mendojmë që jemi të gjithë të pandershëm njësoj si ata, ne të sheshit dhe ata të tenderave. Ata shpresojnë që të vrasin mbi të gjitha shpresën. Por ka ende shpresë.
Ka ende shpresë sepse prindërit shqiptarë vazhdojnë në shumicën e tyre t'ju mësojnë fëmijëve se çfarë është e drejta dhe e padrejta. Vazhdojnë t'ju mësojnë fëmijëve të tyre se të vjedhësh është turp, siç shqiptarët jua kanë mësuar gjithmonë prindërve dhe siç disa nuk e dinë akoma në këtë vend.
Ka shpresë sepse shumica e shqiptarëve e ndërtojnë dhe duan ta ndërtojnë jetën e tyre me djersën e ballit, dhe jo me taksat e të tjerëve. Ka shpresë, sepse ka mijëra sot socialistë të ndershëm që ndihen të zhgënjyer dhe të përdorur nga vetë partia e tyre.
Ka shpresë, sepse dhe në këto çaste që ne flasim, shumica dërrmuese e këtyre policëve që janë këtu para nesh, presin nga ne. Do të donin të ishin me ne. Edhe ata shpresojnë nga ne. Sepse janë si ne. Njerëz të lirë të këtij vendi, njerëz të ndershëm. Ne kemi një vend të mrekullueshëm, me pasuri të jashtëzakonshme. Gjyshërit tanë na trashëguan vlera që na i ka zili gjithë Evropa.
Dhe me të cilat mburremi kudo ku shkojmë. Të rinjtë tanë sot janë në të njëjtin hap, në të njëjtën frekuencë. Nuk ndryshojnë fare nga të rinjtë evropianë, ose amerikanë. Shqiptarët kudo që janë, janë të suksesshëm kudo që u jepet mundësia të punojnë me djersën e tyre. Ne kemi sot në krah aleatët më të fuqishëm të planetit.
Ky vend është bekuar nga Zoti. Të gjithë e dimë. Atëherë le të bëhemi bashkë, të gjithë pa asnjë dallim. Le t'i besojmë njëri-tjetrit. Njësoj si mbi tre dekada më parë dhe të ndërtojmë një Shqipëri të re, një Shqipëri për njerëzit e ndershëm. Gjithçka nis në këtë.
NDIQNI PROTESTËN E PLOTË:

