Financial Times: Në krizën e Kubës, kapitalizmi është mbret
Në Kubën e sotme, disa shokë janë më të barabartë se të tjerët.
Ndërsa ishulli i drejtuar nga komunistët po zhytet gjithnjë e më thellë në krizë, nën presionin në rritje ekonomik të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është e mundur të hash biftek cilësor, të ngasësh një makinë të re dhe të kesh energji elektrike, nëse ke para për të blerë në sektorin privat që po lulëzon.
Në shoqërinë dikur të barabartë, është krijuar një ekonomi me dy nivele. Ata që kanë para blejnë ushqime të importuara nga SHBA-ja dhe lëvizin me makina elektrike të karikuara me panele diellore, ndërsa ata që nuk kanë mjaftueshëm jetojnë me racione të pakta nga dyqanet shtetërore, shkojnë në punë në këmbë dhe rrinë në shtëpi në errësirë.
Vala e sipërmarrjes private nisi kur qeveria kubaneze legalizoi një grup fillestar biznesesh të vogla dhe të mesme në vitin 2021. Sektori u zgjerua shpejt, me mbi 11 mijë kompani të regjistruara në dy vitet pasuese.
Kubanezët sipërmarrës hapën dyqane të vogla në dhomat e shtëpisë ose tezga në rrugë. Ashtu si në Europën Lindore në fund të Luftës së Ftohtë, ata ofrojnë produkte të importuaraamerikane, një kontrast i madh me mallrat e varfra që ofrohen në ndërmarrjet shtetërore.
Ata janë bërë një shpëtim për shumë njerëz në ishull, sidomos pasi Trump forcoi embargon tregtare të SHBA-së vitin e kaluar dhe në janar njoftoi se dëshironte të ndërpriste furnizimin e Kubës me naftë për të ushtruar presion mbi qeverinë që të negociojë me Uashingtonin.
"Sektori privat është arsyeja pse shumë kubanezë ende mund të hanë," tha një sipërmarrës në Havana. "Nëse do të vareshin nga shteti, do të vdisnin nga uria."
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka sugjeruar se udhëheqësit komunistë të Kubës mund t'i japin më shumë hapësirë sektorit privat si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me Uashingtonin.
"Është e rëndësishme që populli i Kubës të ketë më shumë liri, jo vetëm liri politike, por edhe liri ekonomike," tha ai për Bloomberg në një intervistë në Mynih fundjavën e kaluar. "Regjimi kubanez nuk ka një kuptim bazë se si funksionon biznesi dhe industria dhe populli po vuan për shkak të kësaj. Prandaj, gatishmëria për të bërë hapa në këtë drejtim mund të jetë një rrugë përpara."
Por çmimet e tregut të lirë në dyqanet private janë të papërballueshme për kubanezët që paguhen me rroga shtetërore dhe që nuk kanë të afërm jashtë vendit për t'i ndihmuar. Vëzhguesi Kubanez i të Drejtave të Njeriut, një grup opozitar, vlerësoi vitin e kaluar se 89 për qind e kubanezëve jetonin në varfëri "ekstreme".
Në një tezgë në Havanë, një qese sheqer e importuar nga Brazili dhe një pako miell kushtonin mbi 1200 peso, pothuajse dy javë të ardhura për një pensionist dhe gati një javë rrogë për një punonjës me pagën mesatare mujore shtetërore prej 6000 pesos.
Një grua e moshuar u largua me aq sa mund të përballonte, dy vezë nga 90 pesos secila. "I mora për mbesën time sepse është shtatzënë," shpjegoi ajo.
Rreth një e treta e kubanezëve punojnë në sektorin privat, ku pagat mund të jenë shumë më të larta. Për disa të tjerë, diaspora prej 4 milionë vetësh është një shpëtim. Dyqanet ushqimore online, si Supermarket23, u lejojnë të afërmve të bëjnë porosi nga jashtë me dorëzim në Havana brenda katër orësh.
Të tjerë gjejnë mënyra për t'u dërguar valutë të fortë familjarëve në ishull. Këto para mund të këmbehen në tregun e zi me 500 pesos për dollar, në vend të kursit zyrtar prej 24 pesos.
Jeta për sektorin privat mbetet e vështirë. Regjimi vendosi kufizime në vitin 2024, duke kufizuar numrin maksimal të punonjësve në 100 për çdo biznes dhe duke detyruar kompanitë private të operojnë në monedhën vendase dhe të përdorin një ndërmjetës shtetëror për importet.
"Qeveria kubaneze është si një fëmijë i vogël që përplas kokën pas murit," tha një konsulent biznesi në Havana. "Duhet ta përplasë kokën të paktën tri herë para se të kuptojë se duhet të provojë një mënyrë tjetër."
Megjithatë, kriza e ka detyruar qeverinë të bashkëjetojë me sektorin privat, të cilin e sheh si një të keqe të domosdoshme. Zyrtarët ndonjëherë e fajësojnë sektorin privat për inflacionin ose për "spekulim", por e pranojnë se ai po luan një rol jetik.
SHBA-ja eksportoi mallra me vlerë 444 milionë dollarë në Kubë në 11 muajt e parë të vitit 2025, një rritje prej 13 për qind krahasuar me një vit më parë, sipas Këshillit Tregtar dhe Ekonomik SHBA–Kubë. Eksportet ishin kryesisht produkte bujqësore, ushqime dhe ilaçe, të cilat përjashtohen nga embargoja e Uashingtonit.
Lirimi i bizneseve të vogla është i vetmi projekt i qeverisë "që ka pasur ndonjë sukses" në 15 vitet e fundit, tha Joe Garcia, ish-kongresmen demokrat nga Florida me lidhje me Kubën.
Ndër pengesat me të cilat përballen është ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në kurset e këmbimit dhe në sistemin e monedhave, gjë që ka krijuar një kaos financiar për kubanezët.
Për të shpjeguar sistemin, një biznesmen vendas vizatoi një piramidë që tregon hierarkinë e parasë në vend. Në fund janë transfertat elektronike në peso kubaneze që përdoren për të paguar punonjësit e sektorit shtetëror. Ato mbeten në bazë për shkak të mungesës së kartëmonedhave, që do të thotë se njerëzit duhet të presin në radhë në banka për të tërhequr para për t'i shpenzuar.
Mbi paranë cash në peso vjen MLC, një "peso i konvertueshëm" që ekziston vetëm në formë elektronike, por që në teori është i barabartë me një dollar; pastaj dollarët në cash; dhe në krye fare, dollarët e mbajtur jashtë vendit që mund të përdoren për të paguar importet.
Pavarësisht ndërlikimeve, sektori privat në rritje ka bërë që disa sipërmarrës kubanezë të pasurohen mjaftueshëm për të përballuar produkte luksoze dhe makina të reja.
Në një dyqan ushqimesh spanjolle në një rrugë të qetë banimi në Havana, diskrecioni është rregulli kryesor. Shumica e klientëve porosisin online shampanjë Krug, proshutë Ibérico dhe biftekë cilësorë, tha një shitëse. A janë të huaj? "Jo, ka plot kubanezë," u përgjigj ajo me buzëqeshje.
Pak blloqe më tej, lypësit kërkojnë nëpër mbeturinat e rrugës për ushqim, ndërsa dyqani u ofron të pasurve të rinj të ishullit foie gras francez me 27 dollarë kavanozi dhe mish Kobe me 200 dollarë kilogrami.
Te Womy, një koncesionar makinash më pak se një kilometër nga qendra e qeverisë në Plaza de la Revolución, janë në shitje më shumë se 60 makina dhe kamionçina Toyota të importuara, disa me çmim 45,000 euro. "Biznesi shkon mirë, ka shumë kërkesa," thotë një shitës.
Karburanti është një çështje tjetër. Që kur Donald Trump ndërpreu furnizimet e importuara me naftë për Kubën muajin e kaluar, radhët në pak pikat e karburantit që ende shesin janë zgjatur shumë. Shoferët duhet të paguajnë çmimin e tregut prej 1.30 dollarë për litër dhe mund të presin deri në 24 orë për të mbushur serbatorin, duke fjetur në makina.
Ka edhe një zgjidhje alternative: ata pak njerëz që mund t'i përballojnë, importojnë makina hibride ose skuterë elektrikë dhe i karikojnë me panele diellore në çatinë e shtëpisë.
Herën e fundit që Kuba përjetoi vështirësi ekstreme, pas rënies së përkrahësit të saj kryesor, Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991, nuk kishte një hendek kaq të dukshëm mes të pasurve dhe të varfërve, tha William LeoGrande, ekspert për Kubën në Universitetin Amerikan në Uashington.
"Është një problem politik për qeverinë," tha ai. "Në vitet 1990, kubanezët ishin të gjithë në të njëjtën varkë, si të thuash, dhe kishte një ndjenjë komuniteti dhe solidariteti. Tani, pabarazia është shumë e dukshme dhe kjo është një arsye pakënaqësie politike për njerëzit."
Trump tha muajin e kaluar se besonte që qeveria kubaneze ishte "afër dështimit", ndërsa Rubio tha se administrata "do të donte" ndryshim regjimi në Havana, por nuk do ta impononte domosdoshmërisht.
Ndërsa kriza thellohet, shumë kubanezë janë detyruar të mbështeten te vetja. Hotelet shtetërore kanë pushuar punonjës për shkak të mungesës së turistëve, ndërsa kantierët e ndërtimit janë ndalur nga mungesa e çimentos.
Alejandro kërkon shishe plastike në grumbujt e mbeturinave që janë lënë pa u mbledhur në rrugët e Havanës qendrore.
"Më paguajnë 10 pesos për çdo shishe, për sa kohë që janë në gjendje perfekte që të ripërdoren," shpjegoi ai. "Por më duhet t'i pastroj si brenda ashtu edhe jashtë. Në një ditë të mirë, mund të fitoj 400 pesos." / Financial Times – Syri.net



