Macron: Europa është hapësirë inovacioni, por edhe sigurie/ Thirrje globale për rregullim më të fortë të AI-së dhe mbrojtje nga “deepfake”
Presidenti Emmanuel Macron mbrojti rregullat e Bashkimit Europian për inteligjencën artificiale, duke kundërshtuar kritikat e SHBA-së dhe duke premtuar masa të ashpra për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi digjital. Ai gjithashtu përcëriti niëmen për ndalimin e rrjeteve sociale për moshat nën 15 vjeç në Francë.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka kundërshtuar kritikat e SHBA-së ndaj përpjekjeve të Europës për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale, duke premtuar masa të ashpra për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi digjital gjatë presidencës franceze të G7-ës.
Duke folur në samitin “AI Impact” në Delhi, Macron kërkoi mbrojtje më të fortë pas zemërimit global lidhur me përdorimin e chatbot-it Grok të Elon Musk për të gjeneruar mijëra imazhe të seksualizuara të fëmijëve.
Këshilltari i lartë për inteligjencën artificial në Shtëpinë e Bardhë, Sriram Krishnan, përsëriti kritikat e administratës amerikane ndaj rregulloreve europiane, duke përmendur Aktin e BE-së si pengesë për inovacionin.
Pas kësaj deklarate Macron u kundërpërgjigj kështu.
Sinkron Macron Në kundërshtim me atë që thonë disa miq të keqinformuar, Europa nuk është e fokusuar verbërisht te rregullimi. Europa është hapësirë inovacioni dhe investimi, por është edhe hapësirë e sigurt dhe hapësirat e sigurta fitojnë në planin afatgjatë.
Sipas një studimi të publikuar nga UNICEF dhe Interpol në 11 vende, të paktën 1.2 milionë fëmijë raportuan se imazhet e tyre ishin manipuluar në deepfake me përmbajtje seksuale gjatë vitit të fundit.
Në disa shtete, një në 25 fëmijë është prekur nga ky fenomen.
Macron njoftoi gjithashtu se Franca po nis një proces për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç.
“Nuk ka arsye që fëmijët tanë të ekspozohen online ndaj gjërave që janë të ndaluara me ligj në botën reale,” theksoi ai.
Në samit morën pjesë drejtues të kompanive kryesore të AI-së, përfshirë Sam Altman, drejtues i OpenAI, si dhe Dario Amodei nga Anthropic.
Ndërkohë pritësi i samitit, Kryeministri indian Narendra Modi e krahasoi me zbulimin e zjarrit, duke e cilësuar si transformim të thellë në historinë njerëzore. Ai theksoi nevojën për përmbajtje digjitale të verifikueshme.
India po përpiqet të pozicionohet si fuqia e tretë globale në AI, pas SHBA-së dhe Kinës, ndërsa kompani si Google kanë njoftuar investime miliardëshe në infrastrukturën digjitale të vendit.

