Noka e Vokshi mbështesin qëndrimin e McAllister: Testi kritik për Shqipërinë, përgjegjësia është e Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka reaguar pas deklaratave të sotme të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm të PE-së, David McAllister në Tiranë, në lidhje me çështjen Balluku.

‘Kjo është përgjegjësi ligjore dhe politike’ tha McAllister dhe sipas Nokës, kjo përgjegjësi është e Edi Ramës.

“Qëndrimi i partisë në pushtet ndaj dosjes Balluku është test kritik në luftën kundër korrupsionit.

‘Jo vetëm çështje ligjore, por edhe përgjegjshmëri politike’, tha sot kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister.

Duhet përgjegjshmëri politike, thotë McAllister. Përgjegjësinë politike e ka kryeministri, i cili është eprori i saj në qeveri dhe personi që e ka emëruar politikisht nga pozita e kryetarit të PS”, u shpreh Flamur Noka.

Edhe deputetja e Partia Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas takimit të zhvilluar me delegacionin e Parlamenti Europian në Tiranë, duke ngritur shqetësime lidhur me standardet demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në vend.

Në rrjetet sociale, ajo thekson rëndësinë e respektimit të reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme si elementë thelbësorë për integrimin europian të Shqipërisë.

“Sot, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar z. Gazment Bardhi dhe kolegen Jorida Tabaku, zhvilluam një takim me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, të drejtuar nga kryetari David McAllister.

Në takim paraqitëm shqetësimet tona për cenimin nga maxhoranca qeverisëse e lirisë së zgjedhjes dhe përpjekjet e Edi Ramës për të minuar luftën kundër korrupsionit përmes ndërhyrjeve politike në legjislacion gjatë një procesi penal.

Mbështesim plotësisht qëndrimin publik të z. McAllister se ‘çështja Balluku përbën një test kritik për Shqipërinë në respektimin e reformës në drejtësi dhe në seriozitetin e luftës kundër korrupsionit.’.

Partia Demokratike dhe opozita janë të gatshme të bëjnë gjithçka që Shqipëria të ketë institucione që funksionojnë sipas ligjit dhe zgjedhje të lira e të ndershme, që garantojnë rotacion politik përmes votës së qytetarëve”, shprehet Albana Vokshi.