ICE DEL DUARSH! Raste të shumta krimesh nga agjentët e emigracionit! Ekspertët paralajmërojnë se zgjerimi i shpejtë i agjencisë mund të rrisë abuzimet

Dhjetëra punonjës të agjencisë amerikane të emigracionit, ICE janë akuzuar për krime që nga viti 2020. Raste abuzimi seksual, dhune, korrupsioni dhe shpërdorimi detyre janë dokumentuar në disa shtete. Ekspertët paralajmërojnë se rritja e shpejtë e agjencisë dhe fuqitë e zgjeruara të saj mund të krijojnë më shumë raste abuzimi në të ardhmen.

Zgjerimi i shpejtë i agjencisë amerikane të emigracionit ICE po shoqërohet me shqetësime serioze për abuzim të pushtetit, pas publikimit të një analize të gjerë të Associated Press, e cila dokumenton dhjetëra raste kriminale që përfshijnë punonjës dhe kontraktorë të saj.

Sipas të dhënave, që nga viti 2020 të paktën dy duzina punonjësish janë akuzuar për krime të ndryshme, përfshirë dhunë fizike, abuzim seksual ndaj personave në paraburgim, korrupsion dhe marrje ryshfeti për të ndërhyrë në procedurat e deportimit. Disa prej rasteve përfshijnë edhe zyrtarë me përvojë të gjatë në strukturat e agjencisë.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se rritja e shpejtë e ICE, që ka arritur mbi 22 mijë punonjës në më pak se një vit, mund të krijojë kushte për më shumë incidente të ngjashme, sidomos nëse proceset e verifikimit dhe trajnimit nuk mbahen në të njëjtin ritëm me zgjerimin e stafit.

Situata komplikohet edhe nga fakti se agjentët kanë kompetenca të gjera ndaj personave në ndalim, shpesh në kushte të ndjeshme dhe me mbikëqyrje të kufizuar.

Autoritetet federale deklarojnë se rastet e shkeljeve nuk përfaqësojnë shumicën e punonjësve dhe se çdo akuzë trajtohet seriozisht, ndërsa hetimet e brendshme dhe procedurat disiplinore vijojnë.

Megjithatë, organizatat e të drejtave civile kërkojnë forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe transparencës, duke paralajmëruar se pa kontroll të rreptë, rritja e kompetencave të agjencisë mund të shoqërohet me rritje të abuzimeve në shkallë kombëtare.