Tre fëmijë dhe një burrë viktima të sulmit ajror rus në Kharkiv
Një sulm ajror rus në rajonin lindor të Ukrainës, Kharkiv, vrau tre fëmijë dhe një të rritur, njoftoi kreu i administratës ushtarake lokale, Oleg Synegubov.
“Dy djem njëvjeçarë dhe një vajzë dyvjeçare u vranë në sulmin që goditi një shtëpi në qytetin Bogodukhiv pranë kufirit rus’’, theksoi Synegubov.
Një burrë 34-vjeçar që ishte me fëmijët u vra gjithashtu, shtoi burimi, pa specifikuar nëse ai ishte babai i tyre.
Të hënën, një grua dhe një djalë 10-vjeçar u vranë në një sulm ajror në të njëjtin qytet.
Moska kryen sulme ajrore të përditshme në Ukrainë, duke vrarë rregullisht civilë.
Sipas një raporti të Misionit të Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë (HRMMU) të publikuar në fillim të janarit, gati 15 000 civilë ukrainas janë vrarë dhe 40 600 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022.
Raporti thotë se viti 2025 ishte viti më vdekjeprurës pas vitit 2022, me mbi 2 500 civilë të vrarë.

