Kredi nga shteti për fermerët, Malaj: Mbulon 70 për qind të vlerës
Ministria e Financave organizoi një takim të zgjeruar në nivel të lartë institucional, në vijim të dialogut të vazhdueshëm mbi përdorimin e Skemës së Garancisë Sovrane të Qeverisë Shqiptare dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro,të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM) nga sektori bankar.
Skema e Garancisë sovrane për bujqësinë, për herë të parë, mbështet drejtpërdrejt fermerët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor dhe agropërpunues, me një fond prej 3 miliardë lekësh (30 milionë euro).
Garancia Sovrane mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë, me normë interesi të kufizuar në 2%, periudhë grace minimale 12 muaj dhe pa penalitete për shlyerje të parakohshme.
Takimi u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe Drejtorëve të Përgjithshëm të bankave tregtare që operojnë në vend dhe përfaqësuesve nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit RuralAndis Salla, u shpreh se Skema e Garancisë ka filluar të shfaqë efektet pas një periudhe ku fermerët kishin nevojë të njiheshin me të. Rritja e interesit dhe e aplikimeve nga fermerë apo biznese agro-përpunuese tregon qoftë nevojën që ka sektori për financim, po aq edhe potencial afatgjatë që sipërmarrësit shohin.
