AGJENDA/ Tirana organizon Ministerialin e Korridorit VIII

Tirana do të mirëpresë Ministerialin e Korridorit VIII, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe gjeopolitike të rajonit.

Takimi i caktuar më 18 shkurt do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.

Ky takim synon të thellojë bashkëpunimin ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit VIII si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e integrimit rajonal dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore evropiane.

Seanca plenare do të trajtojë temën: “Korridori VIII në momentin strategjik të Evropës: Lidhshmëria, qëndrueshmëria përmes lëvizshmërisë ushtarake dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”, duke theksuar nënvizuar rolin e Korridorit VIII si një shtyllë strategjike që bashkon dimensionin ekonomik, të sigurisë dhe të ndërlidhjes rajonale në funksion të prosperitetit të përbashkët.

Gjatë Ministerialit pritet miratimi i një deklarate të përbashkët, ndërsa programi do të përfshijë gjithashtu takime dypalëshe dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në kuadër të ministerialit, do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik për Korridorin VIII, me temë: “Nga Lidhja Strategjike drejt Rritjes Ekonomike Rajonale: Potenciali Ekonomik i Korridorit VIII”, i cili do të mbahet në ambjentet e Bankës së Shqipërisë.

Diskutimet do të fokusohen në lehtësimin e tregtisë, si dhe zhvillimin industrial me synim rritjen e konkurrueshmërisë rajonale. Forumi synon të mobilizojë instrumente evropiane dhe ndërkombëtare financimi dhe të prodhojë rekomandime konkrete për ta shndërruar Korridorin VIII në një katalizator të investimeve, rritjes dhe integrimit ekonomik rajonal.