Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe drejt përmbylljes, mbi 1 mijë ekipe shkollash pjesëmarrëse

Faza e dytë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe po shkon drejt përmbylljes, duke përfshirë nxënësit e klasave të IX-ta në një garë që vë në qendër njohjen, përdorimin e saktë dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vlerësoi rëndësinë e këtij konkursi, duke theksuar se gjuha shqipe po shndërrohet në një garë pasioni dhe dijeje për brezin e ri.

Sipas saj, sfida mes nxënësve nxiti mendimin kritik, saktësinë gjuhësore dhe vlerësimin e fjalës së bukur, si elementë thelbësorë të identitetit kombëtar.

Në këtë edicion të konkursit morën pjesë 1 022 ekipe nga shkolla të ndryshme të gjithë vendit, një tregues i interesit të lartë dhe angazhimit të nxënësve dhe mësuesve për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe synon të forcojë aftësitë gjuhësore të nxënësve dhe të kultivojë krenarinë për gjuhën shqipe, duke e kthyer atë në një urë lidhëse mes dijes, kulturës dhe identitetit kombëtar.