INTIMIDIME DHE MASHTRIME ME REGJI NGA BURGU/ Çfarë kërkon Erion Veliaj nga prokurorët e SPAK-ut?

U bë gati një vit që prokurorët e SPAK-ut edhe gjyqtarët e GJKKO-së janë në një sulm të vazhdueshëm nga Erion Veliaj. Sa herë ka çështje në të gjitha shkallët, pra nga e para deri në Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese, fillojnë sulmet dhe intimidimet mediatike.

Shkrime, artikuj të porositur, qëndrime, opinione të cilat sponsorizohen, mbështeten ku me pagesë, ku jo, me një qëllim të vetëm.

Në finale të merren e të përdoren si raporte për t'u çuar në lobim, kështu siç ndodhi me zbardhjen e të dhënave nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ku u zbulua se Erion Veliaj nëpërmjet vëllait të tij kishte paguar 220 mijë dollarë për të lobuar.

Dhe brenda kishte edhe gënjeshtra dhe mashtrime, si rasti ku Ols Dado kishte kërkuar një shtesë leje ndërtimi që nuk është publikuar kurrë prej 173 ditësh nga kryebashkiaku bashkë me refuzimin e tij, apo dhe faktin që i njëjti prokuror kishte qenë anëtar aktiv i Partisë Demokratike.

Një tjetër mashtrim edhe ky i bërë, kuptohet, me qëllim, në Departamentin e Drejtësisë për ta lidhur me “non grata”-n e Sali Berishës.

Në fakt, e vërteta është shumë e thjeshtë për t'u lexuar.

Erion Veliaj kërkon dy gjëra nga prokurorët dhe këtë tani e dinë të gjithë qartësisht.

Ditën e diel u zhvillua seanca për ndryshimin e masës së sigurisë kërkuar nga Erion Veliaj, por në mediat e tij dhe opinionet e shkruara prej njerëzve të tij dhe të paguarve prej tij thuhet që prokurorët e mbajnë në burg me argumentin se ai ka avokatë amerikanë.

Në fakt, CNA e zbërtheu skemën dhe nxori edhe procesverbalet duke analizuar pikërisht ato që kishin nxjerrë mediat e Veliajt, dhe askund nuk ishte kjo fjali.

Përkundrazi, kishin marrë dhe e kishin nxjerrë totalisht nga konteksti, apo kishin përdorur një shprehje tjetër që kishte të bënte thjesht me lobimin dhe jo me prezencën e avokatëve amerikanë.

Por, çfarë kërkonte vërtetë?

Erion Veliaj kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë. Zaret e tij mediatikë thonë se i zgjatet afati i burgut me pretendimin e prokurorëve për avokatët amerikanë, por në fakt ata nuk kanë bërë kërkesë për zgjatje të paraburgimit të Erion Veliajt. Është e kundërta, Erion Veliaj ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë dhe avokatët kanë shkuar e kanë shprehur qëndrimet e tyre dhe kanë thënë se s'ka ndryshuar asgjë.

Ky njeri vazhdon të intimidojë organet e drejtësisë dhe këtë e ka bërë edhe nëpërmjet lobimit në SHBA ku ka gënjyer. Kaq është ajo që kanë thënë prokurorët.

Por mesa duket, Erion Veliaj kërkon që prokurorët të heshtin, pra kur shkojnë në seancë gjyqësore dhe Erioni kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, prokurorët duhet të thonë “lepe-peqe, urdhëro, si urdhëron zoti kryetar”. Dhe gjykata duhet të thotë “urdhëro, si urdhëron, rroftë Erion Veliaj, rroftë Rilindja, rrofshin 99-çat”.

Këtë duhet të bëjnë gjykatësi dhe prokurori, sipas asaj që po thonë mediat e Veliajt. Prandaj dhe sulmohen, siç ndodhi me Erion Banin, siç ndodhi me Engert Pëllumbin, siç ndodh me "Ols Dadon", prandaj dhe akuzohen, prandaj sërish ka sulme, prandaj ka përsëri mashtrime dhe gënjeshtra që prokurorët të thonë “lepe-peqe”, gjykata të thotë “lepe-peqe”, Erioni të ikë në shtëpi, është djalë i mirë, bile të thërrasin dhe “rroftë partia, rroftë Rilindja” se Erioni ka dhe votat.

Por votat nuk ia dhanë banorët e Tiranës të kapet duke vjedhur, por ia dhanë të drejtonte bashkinë. Në momentin kur kapet duke vjedhur dhe dyshohet si i tillë, çohet para drejtësisë. Erion Veliaj kërkon që të mos ketë drejtësi.

Përtej qëndrimeve dhe pretendimeve të zareve të tij mediatikë, Erion Veliaj kërkon nëpërmjet sulmeve mediatike dhe gjyqeve popullore me mediat e korruptuara të pushtetit, që u bën prokurorëve dhe gjyqtarëve, këta të fundit të heshtin dhe ai të fitojë lirinë.

Apo të ulin kokën dhe të bëjnë pas, sepse Erion Veliaj shkon në Departamentin e Drejtësisë, ka paratë e vëllait të tij, të kompanive të reklamave që paguajnë vëllain e tij, fitimet që ai përdor më pas për të lobuar, dhe janë kompani që kanë përfituar qindra apo miliona euro nga Bashkia e Tiranës.

Ja këtë kërkon Erion Veliaj, që prokurorët të heshtin, të ulin kokën dhe të pranojnë çfarë do ai.

Për t'i detyruar ata që të nënshtrohen së bashku me gjykatat, ai sulmon nëpër mediat e pushtetit.

E kemi parë në përgjime se si ka shkuar dhe me akuza për dy milionë euro për prokurorët, apo si ka shkuar në sulme personale për fizikun e gjyqtarit, apo si kanë bërë akuza të tjera për gjyqtarin e Faktit deri te lobimet me mashtrime dhe së fundmi me gënjeshtrat dhe manipulimin e publikut duke thënë se Erionit i zgjatet paraburgimi, pasi prokurorët kanë pasur argument avokatët amerikanë.

Kur në fakt kjo është një gënjeshtër, është një mashtrim i madh i nxjerrë nga procesverbalet e tyre dhe e gjitha, siç theksuam më lart, ka vetëm një qëllim: që prokurorët të heqin dorë nga drejtësia dhe të bëhen vasalë të pushtetit.

Por në drejtësinë shqiptare ka ende prokurorë dhe gjyqtarë me integritet dhe të ndershëm që nuk i merr dot peng propaganda dhe skenarët e Veliajt, që nuk tërhiqen përballë skuthave mediatikë, manipulimeve dhe mashtrimeve publike.

Prokurorët qëndrojnë përballë me faktet, provat dhe të vërtetën e faktuar me dokumente të çuara në gjykatë që në 24 korrik të vitit 2025, ku prej shtatë muajsh Erion Veliaj ka frikë të përballet me drejtësinë, por trimërohet me lobime dhe sulme mediatike, manipulime dhe mashtrime publike./ CNA