Futbollisti i Premier League refuzon fushatën LGBTQ+, përplaset me klubin dhe ndez debat të fortë
Një futbollist i njohur i Ligës Premier, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka shkaktuar përplasje me klubin e tij pasi ka refuzuar të jetë pjesë e fushatës LGBTQ+, duke pretenduar se është portretizuar gabimisht si homoseksual.
Sipas raportimit të “Daily Mail”, lojtari është ankuar zyrtarisht te drejtuesit e klubit, duke theksuar se për dy sezone radhazi ka qenë fytyra kryesore e programit të ndeshjeve të klubit në kuadër të fushatës Pride, gjë që sipas tij ka krijuar perceptime të gabuara për orientimin e tij seksual.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat, pasi Premier League ka nisur një fushatë të re mbështetëse për komunitetin LGBTQ+, të quajtur “Me Krenari”, e cila do të zgjasë nga nesër deri më 13 shkurt.
Ndryshe nga vitet e kaluara, liga ka vendosur një qasje më fleksibile ndaj lojtarëve dhe klubeve.
Sezonin e kaluar, Premier League i dha fund bashkëpunimit me organizatën Stonewall, duke mbyllur iniciativën shumëvjeçare “Rainbow Laces”.
Në sezonin aktual, kapitenët nuk janë më të detyruar të mbajnë shirita me ngjyrat e ylberit, ashtu siç lojtarët nuk janë të detyruar të veshin bluza apo lidhëse Pride gjatë nxehmjes.
Megjithatë, mesazhet e mbështetjes për komunitetin LGBTQ+ do të vazhdojnë të shfaqen në stadiume, tabela elektronike, pankarta para ndeshjes dhe tribuna topash, me synimin për të ruajtur balancën mes përfshirjes dhe respektimit të bindjeve personale të lojtarëve.
Ndryshimet vijnë pas polemikave të forta sezonin e kaluar, përfshirë rastin e Sam Morsy, kapitenit të Ipswich, i cili refuzoi shiritin Pride për arsye fetare, si dhe vendimin e Manchester United për të anuluar veshjen e xhaketave me ngjyrat e ylberit, pasi Noussair Mazraoui nuk pranoi t’i vishte.

