Ekipi shqiptar niset për Lojërat Olimpike Dimërore, synohen medalje olimpike

Ekipi shqiptar i skive niset sot drejt Italisë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi e ka quajtur pjesëmarrjen në këto Lojëra Olimpike si një emocion i madh dhe një mundësi e rëndësishme për të shkruar histori.

“Pjesëmarrja në këtë event është një mundësi e jashtëzakonshme, pasi është një ngjarje ku të gjithë sytë e botës do të jenë drejt Shqipërisë për herë të parë. Kemi mundësi reale për të fituar medalje, pasi ekipi ynë ka punuar pa pushim për katër vite dhe është gati për të konkurruar në nivelin më të lartë”, tha Toçi për RTSh.

Në fokus të garave do të jetë skiatorja që përfaqëson Shqipërinë Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë dhe ka pretendime të mëdha për të fituar medalje olimpike.

Gara kryesore do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku Lara do të garojë për të sjellë një medalje në vendin e saj.

“Puna e katër viteve do të reflektohet në dy gara, që do të zhvillohen më 15 dhe 18 shkurt, ku Lara Colturi do të luftojë për të sjellë një medalje për Shqipërinë. Organizohen tre ceremoni të ndryshme: një në Milano, që është më e madhja, dhe një në Kortina. Aty, së bashku me Larën, do të mbajmë flamurin shqiptar dhe në Borno. Ne nuk po flasim vetëm për statistika, por Lara Colturi, e cila renditet sot e pesta në botë, ka pretendime të mëdha për të fituar medaljen olimpike”, tha Toçi.

Në përurimin e Lojërave Olimpike do të organizohen tri ceremoni: një në Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajnë flamurin shqiptar dhe një tjetër në Borno.

Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 (6-22 shkurt) Shqipëria do të përfaqësohet nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.