Fund i afërt për legjendën e MMA-së? Jon Jones zbulon se vuan nga artrit i rëndë

Një nga luftëtarët më të mëdhenj në historinë e arteve marciale, Jon Jones (38), ka tronditur botën e MMA-së duke zbuluar se po përballet me një gjendje serioze shëndetësore që mund t’i japë fund përfundimisht karrierës së tij legjendare.

Luftëtari amerikan, i cili ka dominuar dy kategori peshe në UFC, tani po përballet me një kundërshtar të pamëshirshëm: pasojat e kohës dhe dëmtimet e grumbulluara, raporton “GiveMeSport”.
Jones u shfaq në skenë si adoleshent dhe shumë shpejt u bë kampioni më i ri në historinë e UFC-së.

Për më shumë se një dekadë, ai mposhti çdo rival kryesor – nga Daniel Cormier te Alexander Gustafsson – duke kontrolluar oktagonin me një kombinim të rrallë force, inteligjence dhe teknike. Pak luftëtarë kanë ushtruar ndonjëherë një dominim kaq absolut.

Edhe pse gjatë karrierës së tij ka kaluar sfida të shumta, lëndimet rrallëherë e kanë ndalur seriozisht. Por tani, pavarësisht dëshirës për një rikthim dhe thashethemeve për paraqitje të reja, e ardhmja e tij në UFC është më e paqartë se kurrë.

Artriti i rëndë, pengesa që mund t’i mbyllë derën Oktagonit

Ish-kampioni i UFC-së, i cili do të mbushë 40 vjeç në më pak se dy vite, ka pranuar se vuan nga artrit i rëndë, një problem që mund ta detyrojë të mos luftojë më.

Në një bisedë të hapur me luftëtarin e UFC-së Joaquin Buckley, Jones foli sinqerisht për dëmin që trupi i tij ka pësuar gjatë viteve.

“Kam artrit të rëndë dhe shumica e njerëzve nuk e dinë këtë,” tha Jones. “Ija ime e majtë është plotësisht e prekur nga artriti. Në fakt, jam tashmë kandidat për një operacion zëvendësimi të ijes.

Gjatë kampit të fundit stërvitor, shkoja në shtrat me dhimbje të forta.”

Tifozët shpresonin ta shihnin sërish “Bones” në Oktagon, madje emri i tij ishte përmendur edhe për një event të mundshëm të UFC-së në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, pas këtij zbulimi, një rikthim duket gjithnjë e më i pamundur.

Nëse kjo do të jetë vërtet fundi, Jon Jones mund të largohet nga sporti si një nga figurat më dominuese dhe më të debatuara që ka njohur ndonjëherë MMA-ja.